VIDEOLAJM/Papa Françesku bekon femijen e Linda dhe Edi Rames

2015-08-22 0

Ati i Shenjtë, Papa Françesku ka bekuar fëmijën e çiftit kryeministror gjatë vizitës që kryeministri Edi Rama zhvilloi në Vatikan i shoqëruar edhe nga bashkëshortja Linda Rama.

Gjatë takimit të sotëm, kryeministri shprehu vlerësimin e lartë për rolin e Papa Françeskut në drejtimin e Selisë së Shenjtë dhe përkushtimin e tij të veçantë në promovimin e vlerave të solidaritetit, përfshirjes, mundësive të barabarta dhe drejtësisë shoqërore.

"Audienca me Papa Franceskun një ore e mrekullueshme përballë thjeshtesisë së Njeriut". Janë këto përshtypjet që përcjell kryeministri Edi Rama nga Vatikani, pas takimit me shefin e Selisë së Shenjtë në Vatikan, Papa Françeskun.

Kryeministri Rama e ftoi Papa Françeskun të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën Ati i Shenjtë e mirëpriti.

Pas audiencës, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin. Në këtë takim u diskutua për frymën e tolerancës fetare që mbizotëron në Shqipëri, si dhe rolin që Selia e Shenjtë luan në promovimin e dialogut ndërfetar dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, pas shembjes së regjimit komunist. Në takim, Kryeministri shprehu domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, në përputhje me realitetet e reja në rajon.

Gjatë vizitës në Vatikan, Kryeministri Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda, Ministri i Jashtëm Bushati, Ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe Ministrja e Arsimit Nikolla.