TIRANË - Njësia Task-Force pranë Prokurorisë së Përgjithshme me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla ka nisur verifikimet ndaj kallëzimit për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni.
Një grup prej 4 prokurorësh kanë nisur nga puna me dosjen voluminoze prej 100 faqesh që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit ka dorëzuar bashkangjitur kallëzimit ndaj Gjonit.
Burime për A1Report nga akuza bëjnë me dije për A1Report se kallëzimi është protokolluar pasditen e djeshme në prokurorinë e përgjithshme ndërsa sot ka nisur menjëherë nga puna njësia taska forcë për veprimet e para proceduriale.
Po të njëjta burime theksuan se verifikimi mund të zgjasë maksimumi në një muaj, e në përfundim të kësaj procedure do të vendoset nëse do të nis apo jo procedim penal ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni.
ILDKP bëri publik një ditë më parë kallëzimin për fshehje të pasurisë dhe deklarime të rreme që gjyqtari Gjin Gjoni ka bërë pranë këtij institucioni, ndërsa vetë ky i fundit mohon këtë fakt duke thënë se ai ka deklaruar gjithçka dhe pasuria në fjalë i përket bashkëshortes dhe jo atij.
A1 Report ka mundur të sigurojë dhe pamjet e vilës me vlerë 700 mijë euro të gjyqtarit Gjin Gjoni, pasuri kjo e listuar në kallëzimin e ILDKPKI-së.
Në një kohë kur prokuroria ka nisur nga puna me verifikimin e kallëzimit penal dhe dosjes 100 faqëshe me prova dhe fakte ndaj Gjin Gjonit, ende asnjë veprim nuk është kryer nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për këtë situatë ndërsa mbledhja e rradhës mbetet ende e papërcaktuar se kur do të zhvillohet.