Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, shprehet i vendosur për të rritur sigurinë në rrugët e vendit sipas standarteve të parashikuara. Kjo sipas tij për të qënë gati për sezonin turistik, por mbi të gjitha për të ulur numrin e aksidenteve në rrugët tona. Çdo kompani e kontraktuar si dhe autoritetet rrugore që nuk i përgjigjen kërkesave të Ministrisë, do të përballen me penalitete përkatëse shtoi Haxhinasto.
Lidhur me unazën lindore të Shkodrës dhe By Pass-in, Ministri garanton se 2 projektet e lëna përgjysëm do të përmbyllen sa më shpejt. Ai vlerësoi edhe marëveshjen me qeverinë gjermane për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Shkodrës me vlerë 20 milion euro, që sipas tij përmirëson përfundimisht rrjetin e furnizimit me ujë dhe sistemit të kanalizimeve në gjithë zonën e Shkodrës.
Deklaratat Haxhinasto i bëri nga Shkodra, ku mori pjesë në një koncert homazh vokal - instrumental, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit Bep Shiroka. Ministria e Transportit ishte mbështetëse e këtij aktiviteti.