KSAMIL - Dy shpërthime të forta tronditën qetësinë e ujërave të Jonit në orën 15.00 të ditës së sotme. Ishte shpërthimi i paralajmëruar i INUK për largimin e objekteve pa leje në ishujt e Ksamilit. 3 nga objektet u shpërthyen, por një prej tyre mbeti mbi ujë i lidhur nga kolonat e betonta të futura thellë në det.
Pak minuta para operacionit Fatir Metaj, drejtor ekzekurtiv i INUK pohoi se vendosja e eksplozivit u bë pas rrethimit të zonës nga Delta Force për siguri, nga lajmërimi dhe rrethimi detar me rojën bregdetare.
Një nga banorët, Diamand Vito pohon se investimi i tyre familjar ne ishullin e madh ka që në në vitin 1998 dhe se përveç familjarëve të tij aty janë punësuar dhjetëra familje. Ai pohon se e drejta e tyre ishte për shfrytëzim sezonal dhe se kanë qenë taksa pagues të rregullt.
Pas shpërthimit grupi shkoi sërish për inspektim dhe konstatoi se një nga lokalet ka mbetur mbi ujë për shkak të lidhjes me kolona betoni nën ujë dhe se për vendosjen e eksplozivit aty sërish do të vijnë polumbarët e specializuar.
Sipas Fatmir Metaj nga eksplozivi nuk ka dëmtim të ishullit, monumente natyre. Pas shpërthimit të parë, objekti me dërrasa të bardha u zhvendos duke lundruar si barkë.
4 ishujt e Ksamilit janë shumë pranë rrugës detare Greqi-Itali, shumë afër Korfuzit dhe 18 km larg Sarandës, në jug. Pozita e qytezës së Ksamilit dhe afërsia me Butrintin i bën 4 ishujt e Ksamilit shumë të kërkuar, si një bukuri natyrore, rrethuar nga një bregdet shkëmbor plot gjire dhe plazhe atraktive, dhe që frekuentohen çdo vit nga qindra pushues shqiptarë dhe të huaj.
POGRADEC, 5 GRA DHE 2 FEMIJE KERCENOJNE ME JETE, LARGOHET INUK
Aksioni i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për prishjen e disa ndërtimeve pa leje në Pogradec ka hasur rezistencën e pronarëve të objekteve, madje situata ka shkuar deri në kërcënime me jetë. Pesë gra dhe dy fëmijë kanë hipur mbi lokalin që është projektuar për tu shembur dhe kanë kërcënuar se do të hidhen nga kati i dytë i tij, nëse INUK nuk largohet.
Pesë vëllezërit, pronarë të lokalit dhe bashkëshortët e grave që kërcënuan se do të hidheshin, pretendojnë se objekti i tyre zotëron dokumentacion të plotë dhe nuk mund të prishet.
Në këto kushte INUK vendosi pezullimin e aksionit dhe vijimin e tij gjatë ditës së nesërme, pasi të verifikohen dokumenatet e pronarëve të ndërtesës në fjalë.
Ndërkohë, edhe aksioni për prishjen e një lokali tjetër, është shoqëruar me konfrontime fizike mes pronarëve dhe inspektorëve të ndërtimit. Pronarë të lokaleve në fshatin Piskupat të Pogradecit nuk lejojnë INUK të kryejë operacionin.
SOT DITA E DYTË E AKSIONIT NË POGRADEC
INUK vijon operacionin për prishjen e objekteve pa leje në Pogradec. Kështu në ditën e dytë të punës në aksin Lin-Pogradec, buzë liqenit, INUK ndodhet në fshatin Piskupat ku do të prishen disa objekte shumëkatëshe.