Pogradec, INUK do prishë godinën, gruaja kërcënon të vetëflijohet

2015-08-22 0

Pogradec- Aksionet e INUK shoqërohen sërish me tension.
Këtë herë në Pogradec ku INUK kishte ndërmarrë operacionin për prishjen e godinave pa leje, për tu prishur ishte planifikuar dhe një ndërtesë dy katëshe në ndërtim e sipër.
Pronarët e ndërtesës, 5 vëllezër kundërshtuan INUK pasi pretendojnë se I kanë të gjithë dokumentacionin dhe kërkojnë vetëm 5 ditë kohë për të çuar çështjen në gjykatë.
Në këto kushte situata është tensionuar në momentin kur policia ka ndërhyrë për të larguar familjarët.
Bashkëshortet e vëllezërve së bashku me një fëmijë kanë hipur në katin e dytë duke mos pranuar të lëviznin. Ndërkohë që njëra prej tyre ka hipur në parvazin e dritares duke kërcënuar se do të hidhet nëse INUK prish ndërtesën.
Aksioni i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për prishjen e disa ndërtimeve pa leje në Pogradec paraditen e sotme ka hasur rezistencën e pronarëve të objekteve, madje situata ka shkuar deri në kërcënime me jetë. 3 gra dhe 1 fëmijë kanë hipur mbi lokalin që është vendosur për t'u shembur dhe kanë kërcënuar se do të hidhen nga kati i dytë i tij,njëra prej grave ka arritur të qëndrojë në parmakun e dritares duke kërcenuar se do te hidhej, nëse INUK nuk largohet.
Pesë vëllezërit, pronarë të lokalit dhe bashkëshortët e grave që kërcënuan se do të hidheshin, pretendojnë se objekti i tyre zotëron dokumentacion të plotë dhe nuk mund të prishet.
"Kam punuar ditë natë për të bërë këtë objekt, kam marrë leje ndërtimi kam shesh ndërtimi. Kam lënë shtëpinë pa bukë për këtë projekti nuk ka asnjë gabim. Më dridhet buza kur flas. Të më shtyjë 5 ditë afat të zbatojë ligjin të shkoj në gjykatë. Nëse gjykata thotë që është e paligjshme ta shembin" thotë njëri prej vëllezërve.
Në krah te pronareve te objektit ka dalë edhe komuna e Hudenishtit e cila nëpërmjet ekspertit të saj urbanistik deklaroi se ndërtimi i objektit dy katesh është brenda parametrave ligjore.
Në këto kushte INUK vendosi pezullimin e aksionit dhe vijimin e tij gjatë ditës së nesërme, pasi të verifikohen dokumentet e pronarëve të ndërtesës në fjalë.
Ndërkohë, aksioni për prishjen e shtesave dhe mureve rrethues te një lokali tjetër, është shoqëruar me acarim të pronarëve dhe familjarëve të pronarit por kjo gjë nuk e ndaloi INUK-un të prishë shtesat. Ndërkaq aksioni ka vazhduar me prishjen e disa pistave apo mureve rrethues ndërsa në pjesë dërmuese u është lënë kohë pronarëve të heqin objektet nga godinat deri nesër në orën 10:00 pas kësaj ore fadromat do të shembin të gjitha godinat pa leje.
Drejtues të INUK deklaruan se janë në pritje të një urdhri të dytë në lidhje me objektet me leje që janë shumë pranë liqenit, nëse do vendoset për prishjen e tyre ata deklarojne se pronarët do të kompesohen. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, janë shkatërruar nga INUK 10 objekte pa leje. Në fshatin Lin, në total përgjatë gjithe vijës nga Lini në Tushemisht janë rreth 40 objekte që do të prishen.

Free Traffic Exchange