Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i bëri sot thirrje politikës që të punojnë më shumë në lidhje me problemet ekonomike që ka vendi. Kërkesa e tij erdhi gjatë raportimit për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë përgjatë 2013.
"Këto kushte kërkojnë koordinimin e politikave aktive nga të gjitha autoritetet vendase dhe përqasjen e një mendimi të ri ekonomik në vend. Kjo përqasje duhet të shënojë krijimin e një klime favorizuese për investime dhe për rritjen e kërkesës, rritjen e produktivitetit të sektorëve konkurues, mbështetjen e zhvillimit teknologjik, përmirësimin e niveleve të edukimit dhe zbatimeve të refromave në treg"tha Fullani.
Kërkesa e llogaridhënies ka qenë reciproke midis Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Bankës së Shqipërisë. Në emër të Komisionit, relatori Anastas Angjeli, i ka drejtuar Bankës së Shqipërisë disa rekomandime midis të cilave të jetë më e vëmendshme ndaj nivelit të borxhit si dhe të nxisë kredidhënien, e cila vlerësohet shumë e ulët.
"Banka e Shqipërisë duhet të jetë më aktive në ruajtjen e nivelit të borxhit publik, në nivele të përballueshme dhe të padëmshme për ekonominë shqiptare. Krijimin e stimujve në mënyrë që Bankat të jenë të interesuara të investojnë më shumë në kreditimin e ekonomisë reale, sesa investimin me letra me vlerë të qeverisë"tha Anastas Angjeli.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë 2013-ës rritja ekonomike ka qenë vetëm 0.44 %, e konsideruar shumë e vogël. Sipas Guvernatorit Fullani kjo është ndikuar edhe prej procesit zgjedhor.