S'deklaruan pasurinë, ILDKPI 50.000 lekë gjobë Dritan Hilës e deputetit Suli

2015-08-22 0

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave gjobit me 50.000 lekë Zv.Ministrin e Mbrojtjes, Dritan Hila dhe deputetin socialist Rakip Suli për mosdeklarim të pasurisë.
Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni theksohet se Inspektori i Përgjithshëm, pas shqyrtimit të akteve të deklarimit të interesave private të subjektit deklarues Dritan Hila, konstatoi që në zbatim të nenit 5/1, pika 2 e ligjit nr. 9049 "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë", i ndryshuar, duhej të kishte paraqitur deklaratën e interesave private "Para Fillimit në Detyrë", brenda 30 ditëve nga data emërimit në detyrë. Nga aktet e administruara rezulton që Z. Hila është emëruar në detyrën e Zv.Ministrit më datë 04.10.2013.
Inspektori i Përgjithshëm, pas shqyrtimit të akteve të deklarimit të interesave private të subjektit deklarues Rakip Suli, konstatoi që në zbatim të nenit 7, pika 3 e ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë", i ndryshuar, duhej të paraqiste deklaratën e interesave private Periodike/Vjetore, brenda datës 31 Mars 2014.
ILDKP thekson më tej se në kundërshtim me kërkesat ligjore, subjektet deklarues, përkatësisht Z. Dritan Hila dhe Z. Rakip Suli, nuk kanë dorëzuar në ILDKPKI dhe pranë strukturës përgjegjëse në institucionin e tyre deklaratat e interesave private, respektivisht "Para Fillimit në Detyrë" dhe "Periodike/Vjetore 2013". Këto veprime parashikohen si kundravajtje administrative nga neni 40, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003, i ndryshuar, ku shprehimisht përcaktohet "Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) lekë".
Në funksion të ndjekjes së një politike ndëshkuese ndaj të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë, Inspektori i Përgjithshëm vendosi aplikimin e masës administrative me gjobë në shumën prej 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë për Z. Dritan Hila dhe Z. Rakip Suli, si dhe në zbatim të dispozita ligjore vuri në dijeni institucionet eprore.
Ndërkaq Inspektorati i Lartë bën me dije që në ditët në vijim do të bëjë publike dhe emra të tjerë të të zgjedhurve dhe të nëpunësve publikë të gjendur në shkelje të dispozitave ligjore, për të cilët do të aplikohen masat administrative përkatëse.