Analistët: Kori i VMRO-së, populizëm si në kohën e komunizmit

2015-08-22 1

Spotet reklamuese të VMRO DPMNE-së, të cilët përmes korit të këngëve maqedonase, bëjnë thirrje për 62 deputetë, iu ngjasojnë metodave populiste të kohës së komunizmit. Për Agim Jonuz, këto spote paraqesin kulmin e keqpërdorimit të folklorit për nxitjen e ndjenjave nacionaliste dhe patriotike të popullit. Megjithatë sipas Jonuz, është e kotë çdo përpjekje e VMRO-së për formimin e qeverisë pa subjektin shqiptar, pasi sipas tij, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për të ardhmen e vendit.

"Mendoj se është plotësisht pa shije që dikush të përdorë folklorin, këngët burimore maqedonase madje edhe himnin, me parafrazime me porosi të tilla fushate. Kjo përbën zhvlerësim të traditës dhe kulturës. Shfrytëzimi i melosit të tillë me tekste të reja është një metodë shumë e fuqishme për nxitjen e emocioneve të atyre që e përjetojnë atë melos, pra bëhet fjalë për një makineri të paparë. Por për mua, me rëndësi është mesazhi që jepet, pasi ai arrin efektin, pra apeli për pushtet absolut. Megjithatë pushteti absolut pa pjesëmarrjen e shqiptarëve në atë pushtet është si të bësh bajram me veten!", tha Agim Jonuz, analist.

Për profesorin Hasan Jashari, këto metoda të VMRO DPMNE-së kujtojnë kohën e komunizmit ku edhe përskaj varfërisë së skajshme, liderëve iu thureshin këngë e valle, nën frikën e pushtetit të egër që kontrollonte mendjen dhe shpirtrat e njerëzve.

"Kjo nuk ka të bëjë me realitetin por tregon për kufijtë moral të politikës në kushtet në të cilat jetojmë. Kjo i ngjason asaj që në histori njihet si katundi i Potenkinit, ku kemi përreth mbretëreshës blegtorë, fshatarë, fusha të mbjellura,të cilët ishin të tilla vetëm derisa të kalon ajo...këngë valle por fshatarët ishin të varfër, kjo ndodh edhe në Maqedoni ku kemi një varfëri ekstreme", deklaroi Hasan Jashari, analist.

Spotet e VMRO-së gjithashtu komentohen në mënyra të ndryshme edhe nga opinioni publik. Cilësimet më të shpeshta që bëhen nëpër rrjetet sociale janë si horror, mizëri, tronditëse, qesharake etj. Ekspertja për të drejtat e njeriut Mirjana Najçevska në profilin e saj në Facebook, komentonte se si 'ngelësit e klasës' i mendojnë reklamat. Ky popull vërtet e meriton Grujon, ironizonte ajo. Kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski ndërkaq e ka komentuar si..kur çmenduria nuk ka kufi..

Një keqpërdorim kaq i dhunshëm i vlerave kulturore dhe njerëzore, është parë vetëm gjatë regjimit të ashpër të Enver Hoxhës, kur njerëzit u shndërruan në marionetë të nomenklaturës. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange