Në qeveri do të jenë ato subjekte që do të fitojnë legjitimitetin e popullit dhe mos më çani kokën më me këtë temë. Kështu është shprehur për herë të parë gjatë fushatës, kreu i BDI-së Ali Ahmeti pas përsëritjeve të vazhdueshme të kreut të opozitës shqiptare Menduh Thaçi i cili për çdo natë iu premton simpatizantëve të tij se do të jetë pjesë e ekzekutivit pas 27 prillit.
"Jo do jetë ky në qeveri, jo do jetë ai në qeveri. Në qeveri është ai që fiton legjitimitetin e kombit të vet, dhe mos çani kokën për gjëra të tjera tani", u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti ka kundërshtuar edhe tezën e ish kryeministrit Georgievski, i cili në një televizion lokal kishte deklaruar se nëse shkelet vullneti i shumicës së shqiptarëve në Maqedoni, mund të shpërthejë lufta. Koha e luftërave në Ballkan ka përfunduar, - ka theksuar Ahmeti.
"Unë nuk jam dakord me atë frikën e Lubço Georgievskit që i tremb bashkëqytetarët e vet, bashkëkombësit e vet, se për një javë nis lufta... Luftërat kanë mbaruar në Ballkan. Por qeveri pa shqiptarë është shumë e vërtetë që nuk ka! Po, nuk ka qeveri pa fitimtarë tek shqiptarët dhe tek maqedonasit. Kjo është e vërteta. Qeveria ndërtohet prej palëve fitimtare, edhe tek shqiptarët edhe tek maqedonasit. U provua një eksperiment i tillë në 2006, por përfundoi për 15 muaj, sepse s'mund të funksionoj, sepse shqiptarët me gjak kanë fituar votimin e dyfishtë, vëllezërit e mi, votimi i dyfishtë bllokon sistem e qeveri dhe s'të lë të marrësh frymë", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ndërkaq, VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit vazhdon të kërkojë 62 deputetë, në mënyrë që, sipas tij, të mos kushtëzohet nga shqiptarët dhe Ali Ahmeti, që një nga tre postet kyçe në shtet t'i takojnë shqiptareve dhe që Maqedonia të mos bëhet shtet dygjuhësor në nivel shtetëror. Bedri Rexhallari