Shqetësimi për bllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, janë ngritur sërish në ditën e sotme nga nën/kryetari i saj, Enno Bozdo.
Sipas tij në këtë mënyrë kryeministri Rama po mban peng realizimin e një sërë investimesh në rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe, duke cënuar drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës.
"Gjej rastin këtu për t'u bërë thirrje kryeministrit, të dërguarve të tij, institucioneve që me projekt-buxhetin e Bashkisë së Tiranës luajnë ping-pong (e miratojmë, nuk e miratojmë) e kjo histori vazhdon kështu prej 4 muajsh, që ta lënë Tiranën jashtë konfliktit politik, t'u japin mundësi qytetarëve të kryeqytetit të jetojnë një jetë më të mirë. I kemi të gjitha mundësitë që ta rikuperojmë këtë bllok e shumë blloqe të tjera, të ndërtojmë shumë shkolla, çerdhe e kopshte, por Rama vetëm të japë mundësinë që projekt-buxheti të miratohet. Kjo është një thirrje qytetare që vjen nga zemra e qytetit të Tiranës" -- është shprehur Bozdo.
Deklaratën nën/kryetari i Bashkisë e ka bërë në bllokun e banimit të kufizuar nga rruga "Muhamet Gjollesha" -- "Myslym Shyri"- rruga e "Kavajës", pranë njësisë bashkiake nr.10.
Për kualifikimin e plot urban të këtij blloku, është parashikuar një fond rreth 117 milion lekësh të reja.