A1 Report - Kom. i Ekonomise: Gjoba te larta kush nuk deklaron transaksionet

2015-08-22 0

TIRANE - Kompanitë ndërkombëtare që nuk deklarojnë transaksionet financiare, penalizohen me gjoba të larta. Transaksionet, sidomos të atyre kompanive që operojnë në vend duhet të deklarohen në administratën tatimore.

Ndryshimet në pr.ligjin "Për procedurat tatimore" dhe "Për tatimin mbi të ardhurat", të miratuara në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, parashikojnë që çdo kompani duhet të deklarojë transaksionet, si brenda dhe jashtë vendit, në rast të kundërt penalizimet kapin vlerën e 100 mijë lekëve për çdo muaj vonesë.

Zv.ministri i Financave, Ervin Mete, në fjalën e tij vuri në dukje se dy nismat e propozuara, janë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me IFC-në dhe OECD.

"Mënyra se si këto kompani kryejnë transaksione me njëra-tjetrën, dhe sa të kontrollueshme janë nga FISK-u, duke pasur parasysh që juridiksionet fiskale janë të kontrolluara, merr një rëndësi të dorës së parë. Është investuar shumë në këtë drejtim nga OECD, e cila vendoste standardin dhe pararojën sa i përket transferimit të çmimit." u shpreh Ervin Mete.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me marrëveshjen paraprake të çmimit të transfertës me organet tatimore.

"Çdo transaksion ndërmjet dy kompanive që do të konsiderohen subjekte të lidhura me njëra-tjetrën, duhet të zbatohet parimi i tregut, pra me njëra-tjetrën ato për efekte fiskale, duhet të hyjnë në transaksione njësoj sikur të ishin kompani tërësisht të pavarura. Shumë e rëndësishme që vjen në këtë projektligj është vendosja e detyrimit për subjektet e lidhura, e njoftimit apo deklarimit në administratën tatimore sa i përket transaksioneve mbi një vlerë të caktuar." tha zëvendës ministri.

Ndryshimet marrin rëndësi në kuadër të zbatimit të projektit "TAP" ku Shqipërisë do i duhet të lidhë marrëveshje me tre vende të tjera.