Ministrja Kodheli në Vaun e Dejës, për demontimin e municioneve

2015-08-22 3

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, duke theksuar rëndësinë e jetës e shëndetit të qytetarëve, siguroi se procesi i demilitarizimit të hotspot-eve po vijon në të gjithë vendin. Shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, kanë inspektuar sot ish-poligonin e demontimit të municioneve në zonën e Hajmelit në Vaun e Dejës, i cili po i nënshtrohet një pastrimi nga trupa dhe mjete të Forcave të Armatosura.Kodheli garantoi se edhe borxhet që ushtria ka ndaj njësive vendore për pastrimin e territorit, do të shlyhen duke prezantuar një imazh të ri të këtij dikasteri. Ndërsa gjeneralmajor Bazo, i kërkoi banorëve të kësaj zone që të qëndrojnë larg ish-poligoneve të demontimit të municioneve.
Gjatë këtij inspektimi ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Gjon Marku. Ai ka falënderuar FA, të cilat i janë përgjigjur kërkesës së pushtetit vendor dhe janë angazhuar për pastrimin sa më të plotë të këtij territori me qëllim sigurimin e jetës së banorëve, pasi ka pasur raste ku është vënë në rrezik jeta e tyre.