Shpronësimi i fermerëve, Duka: Të ishte kryer para nisjes së punimeve Fier-Levan

2015-08-22 1

Vendosja e çmimit të tokës për çdo fshat dhe jo për çdo ngastër, ka pezulluar punimet e Bypassit Fier- Levan në komunën Dermenas. Fermerët nuk janë dakort me çmimin e kompesimit të tokës, duke qenë se në shifër nuk është bërë vlerësimi i treguesve të pjellorisë së tokës bujqësore.
Valentina Duka, nën cilësinë e Drejtoreshës së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier, kërkon rishikim të çmimit të caktuar nga Vendimi Këshillit të Ministrave, ku thuhet se vlerësimi i tokës duhet të bëhet në bazë të pjellorisë që ka ngastra, duke përfshirë në çmim edhe të mbjellat në këto sipërfaqe toke.
Sipas Dukës, duhej bërë vlerësimi i të mbjellave dhe shpronësimi para fillimit të punimeve. Kjo bazuar në eksperiencën e hidhur me fermerët e komunës Levan dhe Cakran, të cilët aktualisht janë në proces gjyqësor, pasi nuk kanë përfituar ende shpronësim.
Në 1.2 km të gjatësisë së segmentit të territorit administrativ të komunës Dermenas, preken rreth 180 familje fermere, që kërkojnë shpronësim të tokës bujqësore.