TIRANE- Zëvendëskryeministri i Kosovës Sllobodan Petrovic ndodhet në një vizitë pune në Tiranë në krye të një delegacioni përfaqësuesish parlamentare të pakicave të Kosovës. Gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit të pakicave në jetën institucionale të Kosovës, mbi të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe mbi bashkëpunimin rajonal.
"Ajo që ne bashkëbiseduam me Kryetarin e Parlamentit, z. Meta është se kemi evokuar edhe kujtimet tona të së kaluarës, posaçërisht kujtimet mbi kohën kur shtetasit e Republikës së Shqipërisë kanë treguar një përkrahje për qytetarët e Komunës së Graçanicës. Kjo përkrahje kishte ndodhur para 5 vitesh dhe shfrytëzoj rastin për t'ju falënderuar shumë sinqerisht. Për shkak se kjo ishte asaj kohe një ndihmë shume e madhe ekonomike, një ndihmë e madhe njerëzore dhe humane. Kishte një rëndësi shumë të veçantë për të dy popujt, për të dy bashkësitë të cilat jetojnë në Kosovë dhe në rajon. Roli i Republikës se Shqipërisë është i rëndësishëm për të gjithë rajonin", tha Petrovic.
Ndërsa kreu i Kuvendit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe angazhimin për forcimin e bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë.
"Unë besoj se jemi duke ecur në rrugën e duhur, e cila është rruga e aplikimit të standardeve evropiane për minoritetet dhe pakicat në çdo vend të rajonit tonë. Ky është fati i kombeve tona në këtë rajon. Çdo komb në një shtet është shumicë dhe në një shtet është pakicë. Kështu që e vetmja zgjidhje mbetet ajo që ne jemi të vendosur për aplikimin e standardeve evropiane në çdo vend të rajonit, në marrëdhëniet me minoritetin dhe pakicat. Në mënyrë që të gjithë të ndihen të lirë, të barabartë dhe të ndihem evropian", u shpreh Meta.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç shoqërohej nga deputetja Emilija Redzepi (përfaqësuese e komunitetit boshnjak), deputeti Hamze Bale (përfaqësues i komunitetit goran) dhe deputeti Fikrim Domka (përfaqësues i komunitetit turk).
PETROVIC ME PELESHIN: VENDET E RAJONIT MUND TË MËSOJNË NGA MËNYRA SI SHQIPËRIA I TRAJTON MINORITETET
Në kuadër të vizitës së tij në Tiranë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç është takuar edhe me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi. Në fjalën e tij, Zv/kryeministri Petrovic shprehu mirënjohje për rolin e Shqipërisë dhe për mbështetjen që ajo u ka dhënë minoriteteve në Kosovë. Ai u shpreh se vendet e rajonit mund të mësojnë shumë nga mënyra sesi Shqipëria i trajton minoritetet dhe theksoi meritën e Shqipëria në arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit të cilën e quajti "një mundësi që nuk duhet humbur".
Ndërsa, Zv/kryeministri Peleshi u shpreh se në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë është hapur një kapitull i ri bashkëpunimi strategjik dhe bashkërendimi forcash në të mirën e të dy vendeve.