Ndarja territoriale, Meta- Opozitës: Reflekto deri të enjten, mos abuzo

2015-08-22 0

Një ditë para mbledhjes së Konferencës së kryetarëve e cila do të caktojë të enjten marrjen në shqyrtim të draftit të PS-së për ndryshimin e komisionit të Reformës Territoriale, mazhoranca vijon të tregohet e vendosur për ta vijuar atë.
Kryetari i Parlamentit Ilir Meta i bëri thirrje opozitës të reflektojë nëse do të bëhet pjesë apo jo e komisionit të reformës administrativo-territoriale dhe se nuk duhet të abuzojë me konsensusin.
"Mazhoranca ka treguar një durim të hekurt për të përfshirë opozitën në mënyrë maksimaliste në këtë proces. Pra, përmes ndërtimit të një komisioni për reformën në Parlament me pjesëmarrje të barabartë midis mazhorancës dhe opozitës dhe me dy bashkëkryetarë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. Ndërkohë që kryetari i PD-së ka refuzuar edhe ftesën zyrtare për takim të bërë nga Kryeministri z. Edi Rama dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste me qëllim krijimin e një mirëbesimi për të ecur drejt realizimit të kësaj reforme. Është e drejtë e opozitës që në vend të konsensusit të kërkojë veton, kjo është një e drejtë e saj pavarësisht se të gjithë janë të lirë të çmojnë nëse kjo është një kërkesë demokratike apo është një kërkesë tiranike. Pra, do të jetë një reformë e hapur dhe unë shpresoj që ata të bashkohen deri në ditën e enjte në realizimin e kësaj reforme, por edhe në rast se kjo gjë nuk ndodh deri ditën e enjte ata janë përsëri të mirëpritur edhe më pas kur të zhbllokohet puna e komisionit, sepse komisioni do të punojë, komisioni do të thërrasë ekspertët vendas, do të thërrasë ekspertët ndërkombëtarë, që janë angazhuar, do të thërrasë të gjithë grupet e interesit, do të bëjë një punë mjaft transparente, e cila do të sjellë edhe finalizimin e draftit më të mirë përmes kritereve publike dhe të hapura. ", tha Meta.
Kryeparlamentari theksoi se nuk është koha që opozita të ripërsërisë të shkuarën kur nuk votoi kushtetutën që sot po e mbron me flakë.
"Askush nuk duhet të abuzojë me konsensusin. Mazhoranca ka treguar një durim të hekurt për të përfshirë opozitën në mënyrë maksimaliste në këtë proces. Ndërkohë kryetari i PD-së refuzoi edhe ftesën zyrtare për takim
Është e drejtë e opozitës që në vend të konsensusit të kërkojë veton.
Nuk bëjmë asnjë hap lidhur me Kodin Zgjedhor. Kjo reformë nuk ka të bëjë me qëllimet elektorale " tha Meta.