Lezhë, ndërpriten punimet në rrugë, kaos në qarkullim

2015-08-22 1

Ndërprerja e punimeve në rrugën e bllokut 11.2 hektarë në lagjen Besëlidhja të qytetit të Lezhës, e ka kthyer këtë aks rrugor pothuajse të pakalueshëm.
Situata më e rënduar shënohet në kohën me reshje, ku gropa të mëdha me ujë si dhe balta, vështirësojnë lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve përgjatë kësaj rruge. Banorët e kësaj lagjeje e kanë humbur çdo besim se ky investim do të përfundojë ndonjëherë, pasi sipas tyre punimet kanë nisur vite më parë dhe janë lënë përgjysëm.
Investimi për ndërtimin e këtij aksi rrugor ka nisur në maj të vitit 2011, por që prej asaj kohe janë kryer vetëm 40 % e punimeve. Burime nga bashkia e Lezhës e cila ka nën administrim këtë ndërhyrje në infrastrukturë, kanë bërë të ditur se ky investim ishte planifikuar të kryhet me kredi, por moslëvrimi i saj ka sjellë edhe mos përfundimin në kohë të punimeve.