Korçë- Për vite me radhë nga karrigia e gjyqtarit ka dhënë masa dënimi për dhjetra të akuzuar, por këtë herë i ulur në karrigen e të pandehurit, gjyqtari Dhimitër Pojanaku ka pritur masën e sigurisë që do i caktohej nga gjykata e Korçës.
Gjyqtari Pojanaku do të qëndrojë në burg, me akuzën e korrupsionin pasiv.
Prokurori i çështjes ka deklaruar në sallën e gjyqit se gjyqtari ka kërkuar 450 mijë lekë për të mbyllur një çështje dhe shetesja B.R, e cila e akuzon gjyqtarin, ka regjistruar me zë dhe me figurë momentin kur i ka dorëzuar shumën e parave.
Vetë gjyqtari ka deklaruar në sallë se paratë që ka marrë nuk janë ryshfet, por nje kontrate qeraje që ai kish lidhur me avokaten e shtetases B.R për nje ambjent dhe që ishte kësti i 3 muajve.
"Në fjalën e Prokurorit nuk dëgjova asnjë provë që qëndron kundër meje. Unë kam hequr dorë prej atij gjykimi dhe me avokaten dhe denoncuesen kisha marrëdhënie civile. E pa bazë kërkesa për arrest me burg ndaj meje, jam i gatshëm të ballafaqohem me kallëzuesit" tha gjyqtari Pojanaku. Mbrojtja kërkoi gjatë seancës gjithashtu masë të më lehtë sigurie, duke theksuar se dërgimi i Pojanakut në qelitë e burgut të Drenovës mund të sillte probleme, pasi shumë të burgosur janë dënuar pikërisht nga ai.
Gjyqtari, Dhimitër Pojanaku, u arrestua në kushtet e flagrancës gjatë pasdites të së mërkurës. Dhimitër Pojanaku, përveçse gjyqtar i njohur në këtë qytet, me një eksperiencë më tepër se 20-vjeçare, është edhe poet i njohur, ndërsa pak vite më parë është shpallur edhe "Qytetar Nderi" i Pogradecit.