Tiranë- Një ditë pas votimit në Komisionin e Ligjeve ku mazhoranca përmes disa ndryshimeve në ligjin e ILDKP-së, i heq presidentit kompentencën për të propozuar kreun e këtij institucioni, PD reagon duke e quajtur sulm të ri ndaj institucioneve të pavarura.
Në një prononcim për median përmes deputetit Oerd Bykylbashi PD tha sot se dyshja Rama-Meta po ndërmarrin një sulm të ri ndaj Presidentit për të ruajtur pasuritë e tyre.
"Pasi uzurpuan në mënyrë të paligjshme kreun e ILDKP, tashmë po përpiqen ta legalizojnë këtë kapje politike të këtij institucioni, duke vënë tërësish nën kontroll procedurën e emërimit. Me heqjen e kompetencës së Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së. Pavarësia e këtij institucioni është themelore për besueshmërinë e luftës kundër korrupsionit të qeveritarëve. Me ILDKP-në nën kontrollin e kësaj dysheje, antikorrupsioni i ILDKP-së kthehet vetëm në një farsë të turpshme. Që këtej e tutje, ILDKP-ja do certifikojë si noter i bindur pasuritë e qeveritarëve të rinj dhe do të përdoret si kamxhik politik ndaj kujtdo që u del kundër," tha Bylykbashi në një prononcim për median.
Partia Demokratike e quan këtë "sulm të ri hakmarrës ndaj Kreut të Shtetit" dhe shton se mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të tij si Komandant i Përgjithshëm.
"Ky sulm është në vazhdën e sulmit ndaj kompetencave të Presidentit dhe pavarësisë së institucioneve për të cilat ai është garant. Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të tij si Komandant i Përgjithshëm. Gjithashtu, mazhoranca ka zhbërë de facto kompetencën e propozimit te kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht dhe pa asnjë arsye ligjore. Qëllimi i vetëm është kontrolli politik i Gjykatës së Lartë nëpërmjet detyrimit të Presidentit të dekretojë vetëm njerëzit e dyshes Rama-Meta, që kjo gjykatë të mbyllë aferat e tyre." Nënvizon Bylykbashi.
Në njoftim për median Partia Demokratike thotë se mbështet çdo forcim të ligjit të ILDKP-së që rrit rolin e këtij institucioni në luftën ndaj korrupsionit të qeveritarëve. E kemi mbështetur forcimin e ILDKP-së me ndryshimet që bëmë në vitin 2012 kur ishim në qeveri, e mbështesim edhe sot në opozitë. Por shpartallimi i pavarësisë së ILDKP me ndryshimin e procedurës së emërimit vetëm nga mazhoranca dhe duke eliminuar Presidentin, e kthen përfundimisht ILDKP në një kone të butë të dyshes Rama-Meta.