Ndonëse bulevardi kryesor i qytetit të Lezhës, është i disiplinuar dhe nuk ka trafik të rënduar, mjafton të depërtosh nëpër lagje për të vërtetuar që parkimi i mjeteve është jashtë çdo kontrolli.
Krahas vendparkimeve, tashmë edhe trotuaret janë zaptuar nga automjetet. Lëvizja e kombësorëve bëhet në rrugë, pasi hapësira e përcaktuar për ta nuk ka më këtë funksion. Kjo nuk ndodh në raste të veçanta, por është e përditshmja në Lezhë ku makinat parkohen mbi trotuare, në hyrje pallatesh, në kryqëzime rrugësh dhe kudo që ka një cep bosh dhe mund të ndalojë një automjet. Si për çudi, kjo pamje nuk vë në lëvizje as policinë bashkiake dhe as atë rrugore.
Shqetësimi është ngritur edhe herë të tjera nga banorët, por pa gjetur një zgjidhje. Rreziku për aksidente është i pranishëm, por sigurisht që policia rrugore dhe ajo bashkiake presin që ato të ndodhin, për të ndërhyrë më pas me marjen e masave.