A1 Report - "Tirana" sërish proteste per Karelin marshim drejt Ministrise se Jashtme

2015-08-22 0

TIRANË -- Sërish protest për Ilia Karelin në Tiranë. Shoqëria civile dhe qytetarë të organizuar përmes rrjeteve sociale për një marshim paqësor drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ata janë mbledhur rreth orës 11:30 para Piramidës dhe kauza e tyre mbetet e njëjtë: Zbardhje e vrasjes së të dënuarit shqiptar në burgjet greke, si pasojë e torturave çnjerëzore të kryera ndaj tij, dhe reagim i palës shqiptare ndaj procesit gjyqësor po zhvillohet në Greqi. Aktualisht janë lënë të lirë të gjithë gardianët e vënë nën akuzë për vrasjen e Ilia Karelit, të njohur në Shqipëri me emrin Kudret Kume.

Për protestën në fjalë është marrë leje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, dhe sipas programit të saj, nuk do të ketë bllokim të rrugës gjatë marshimit për në Ministrinë e Jashtme.

Kjo është protesta e tretë që zhvillohet si revoltë ndaj torturave që gardianët e burgut Malandrinos dhe Nigritas ushtruan mbi Karelin duke i shkaktuar atij vdekjen.
Protesta e parë u politizua, duke sjellë përplasje mes organizatorëve (grupit online Shqipëria Ime) që organizoi protestën përmes Facebookut, dhe Aleancës Kuq e Zi e cila u bë pjesë e protestës, madje duke marrë përsipër organizimin dhe duke ndryshuar itinerarin e saj. Gjatë asaj proteste pati përleshje mes turmës dhe policisë, dhunë e cila coi në dhjetëra shoqërime dhe pezullimin e 4 policëve. Ndërsa protesta e dytë u zhvillua para Ministrisë së Brendshme, ku u kërkua dorëheqja e ministrit Tahiri.