Pashkët, fluks në dogana, emigrantët kthehen për festime në Shqipëri

2015-08-22 1

Festa e Pashkëve është shoqëruar me kthim të emigrantëve të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi.

Pothuajse të gjitha pikat kufitare këmbësore në jug të vendit, kanë shënuar kthim të tyre ku shifrat më të larta janë shënuar në Kakavijë të Gjirokastrës dhe Kapshticës të Korçës. Nga të dhënat e marra pranë drejtorive kufitare përkatëse, mësohet se në Doganën e Kakavijës gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 5500 shtetas me 1250 automjete.

Pavarësisht shifrës së lartë nuk janë shënuar rradhë të gjata, kjo edhe për faktin se shumica e tyre udhëtojnë drejt Shqipërisë me anë të linjave të autobusëve, kjo edhe si pasojë e krizes financiare që ka pllakosur shtetin Helen.

Pala shqiptare në Kakavijë punon me 5 sportele, e njëjtë kjo edhe me atë të doganës greke. Pothuajse e njëjta situatë është edhe në Kapshticë të Korçës, ku në Shqipëri nëpërmjet kësaj pike kufitare kanë hyre 5048 shtetas me 2792 automjete, ndërsa nuk është raportuar për rradhë të gjata apo probleme të llojeve të tjera. Lëvizje ka patur edhe në dy pikat e tjera kufitare të qarkut Gjirokastër, atë të Tre Urave në Përmet dhe Pikës së Sopikut.