A1 Report - Struge, shperdorimi i fondeve te Komunes, Sela akuza ish-kryetarit -

2015-08-22 2

STRUGE - Kyetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela ka akuzuar paraardhësin e tij, Ramiz Merko se i ka shkaktuar një dëm prej mbi 70 mijë euro buxhetit të Komunës së Strugës dhe me këtë edhe qytetarëve. Sipas Selës, në Strugë është krijuar një kaos i paparë me ndërtime edhe atë me kontributin e atij që duhej të ndalonte ndërtimet pa leje.

Sela deklaroi se, shërbimet e Komunës kanë evidentuar shkelje flagrante të Ligjit nga ish kryetari Merko në dy raste. "Në të parin është bërë kërkesë për ndërtimin e objektit të Universitetit Ndërkombëtar të Strugës dhe e ka tejkaluar atë që parashikon leja me 882 metra katrorë".

"Më pas të njëjtin objekt e ka legalizuar me nga 1 euro për metro katror, kur dihet që sipas rregullores, vlera e legalizimit për objekte afariste është 3200 denarë për metra katror. Kështu buxhetit në këtë rast i është shkaktuar dëm prej 46 mijë euro", ka thënë Sela.

Ndërkaq, sipas tij rasti i dytë lidhet me një objekt tjetër, po për UNS-në me sipërfaqe prej 500 metra katrorë të cilin ai e legalizon me nga 1 euro katrorin, kur duhej ta bënte me mbi 50 euro. Në këso kushtesh ai e ka dëmtuar buxhetin për mbi 25 mijë euro.

Pas akuzave të Selës,i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-Kryetarit të Komunës së Strugës Ramis Merko. Ai përmes një reagimi me shkrim ka theksuar se pretendimet e tilla janë spekulime në funksion të fushatës parazgjedhore pasi me akuza të tilla siç shprehet Merko, Ziadin Sela dëshiron të pastroj problemet brenda partisë së tij.

"Këto janë spekulime në funksion të fushatës parazgjedhore. Sela mendon se me insuniata të tilla do të pastroj oborrin e vet që e ka në subjektin e vet politik, apo mos suksesin e tij të treguar gjatë gjithë kësaj kohe, t'ia veshë dikujt tjetër. Për çdo lloj abuzimi, ka organe kompetente dhe le të nxjerri një dokumentacion që është bërë një gjë tjetër", deklaroi Merko.

"Objektet janë të paguara me çmim të plot të ndërtimit dhe nëse ka pasur tejkalim për 2 për qind,5 për qind ato pjesë janë të legalizuara", tha Ramis Merko, ish kryetar i Komunës së Strugës. Ndryshe objekti në të cilin është vendosur Universiteti Ndërkombëtar i Strugës është në pronësi të ish kreut të komunës së Strugës, Ramis Merko.