Problemet mbi pronësinë prej kohësh kanë qenë tema më e nxehtë dhe e diskutuar në vendin tonë, ku shumë prej këtyre çështjeve ende nuk po marrin zgjidhje.
Pjesë e këtij problemi duket se po bëhen edhe institucionet vendore, të cilat po përballen me situata aspak normale ku në to, përfshihen edhe hapësirat e tokës ku prehen personat që kanë ndërruar jetë. Prej kohësh një ngërç i tillë ekziston edhe në Berat, ku Bashkia e këtij qyteti ende nuk po zgjidh çështjen e privatizimit të tokës e cila do të mundësonte zgjerimin e hapësirës së varrezave publike, ku vendet pranë saj janë drejt fundit.
E si të mos mjaftonte kjo gjendje, sot varrezat e Suelasit janë tjetërsuar totalisht, duke u kthyer në një vend grumbullim mbeturinash, kullote për bagëtitë e natyrisht që nuk mungojnë as dëmtimet e shumta të varreve, faktorë këto të cilat vijnë si pasojë e mungesës së murit rrethues dhe mos lëshimit pe nga ana e pronarëve të tokës.
Edhe pse janë koshientë mbi atë çfarë po ndodh, institucinet shtetërore nuk po i japin zgjidhje kësaj situate aspak normale, ndërkohe që jo më pak shënohet edhe papërgjegjshmëria e qytetarëve, të cilët kalojnë mes për mes varrezave nëpërmjet një rruge e cila është hapur në mënyrë individuale dhe në mënyrë të paligjshme.