Analistët politik dënojnë fjalorin e kreut të PDSH-së Menduh Thaçi, për 'bela' në ditën e votimeve, duke thënë se ky është sinjal i keq jo vetëm për mbështetësit e partisë por edhe gjithë shqiptarët. Naser Ziberi thotë se Thaçi në këtë mënyrë përpiqet të mobilizojë sa më shumë elektoratin por pa mbajtur llogari për pasojat që mund të sjell retorika e tillë në ditën e zgjedhjeve.
"Në një far mënyrë i sugjeron që të jenë më agresiv në ditën e zgjedhjeve. Por në fakt kampanja zgjedhore gjithmonë janë të tilla, me tensione të lartë, me fyerje me shprehje të pakontrolluara të cilat pastaj lënë pasoja në ditën e votimit..Unë nuk mendoj se mund të ketë përsëritje të skenarëve të viteve 1999, 2000, 2008 sepse PDSH nuk është parti në pushtet dhe në këtë mënyrë të bëjë trysni dhe të shantazhojë qytetarët. Kjo më tepër bëhet që të kurajohet një pjesë e elektoratit të tij që të del në mënyrë masive në zgjedhje të jetë më konkurrues", tha Naser Ziberi, analist.
Analisti Alajdin Demiri thekson se as PDSH dhe as BDI nuk kanë aktivistë të cilët mund të marrin veprime të tilla si në të kaluarën, për të cilën u dënuar rëndë nga elektorati. Sipas tij, deklarata të tilla janë vetëm shprehje emocionale dhe nuk mund të ndodhin aq më shumë kur PDSH është në opozitë.
"Deklarata të tilla dhe marrja e drejtësisë në duar personale janë një shprehje emocionale e liderit se sa një realitet që mund të ndodhë. E kaluara tregoi se kjo mënyrë e veprimit politik është e harruar. Gjithë ata që thyen kutitë dhe filluan të merrem me veprime të tilla u ndëshkuan rëndë. Në këtë fazë as PDSH as BDI nuk kanë militantë që mund të merrem me veprime të tilla. Por kjo gjithë duhet të kuptohet si fushatë dhe disa politikanë fushatën e kanë kuptuar se mund të thonë gjithçka", u shpreh Alajdin Demiri, analist.
Analistët thonë se është për të ardhur keq se shqetësimi më i madh i partive shqiptare është që me çdo kusht të bëhen pjesë e qeverisë dhe jo se si në mënyrë të denjë të përfaqësojnë shqiptarët dhe përmbushin premtimet që ua japin. Semra Jakupi