A1 Report - Pensionet zbardhet rritja e moshes për burrat dhe grate

2015-08-22 5

TIRANE- Mosha e pensioneve do të rritet 3 vjet për gratë, pra nga 60 do të shkojë në 63 vjeç, dhe dy vjet për burrat nga 65 do të shkojë në 67 vjeç. Skema e re e pensioneve parashikon që kjo rritje të jetë e ngadaltë dhe do të zgjasë deri në vitin 2056. Gazeta "Shqiptarja. com" ka siguruar formulën e cila do të përdoret për rritjen e moshës së pensionit për vitet në vazhdim.

Mosha
Rritja e moshës së pensionit do të fillojë që vitin e ardhshëm kur skema e re do të hyjë në fuqi, dhe kjo rritje do të kapë vetëm gratë. Sipas formulës është parashikuar që mosha e pensionit të grave çdo vit të rritet me dy muaj, për gjashtë vjet me një vit dhe deri në vitin 2032 kur përfundon afati i rritjes së moshës me 3 vjet, pra 63 vjeç.

Kështu, nëse një grua e moshës 60 vjeçare, me skemën aktuale i takon të dalë në pension në muajin korrik të vitit 2015, ajo pagesën e pleqërisë e përfiton në shtator të 2015. Në momentin që përfundon rritja e moshës së pensionit për gratë, fillon rritja e moshës së pensionit tek burrat. Skema parashikon që rritja e moshës së pensionit për burrat të nisë në vitin 2033. Sipas formulës së gjendur, burrave do t'u duhet të punojnë edhe dy vjet më shumë. Procesi i rritjes së moshës do të fillojë në vitin 2033 dhe do të përfundojë në 2056, duke pasur ndryshim me një muaj për çdo vit kalendarik.

Skema
Ministria e Mirëqenies Sociale ka parashikuar që skema e pensioneve të ndryshojë edhe në disa pika të tjera të rëndësishme. Në një diskutim të hapur që ministri Veliaj ka bërë me studentët ka treguar se sa e rëndësishme ishte kjo reformë e ndërmarrë dhe ku do të ndërhyhet.

"Propozimi ynë i parë është të heqim pjesën e tavanit të kontributeve dhe moshës së daljes në pension, që do të thotë se për grupin tuaj me të ardhura më të mira, ai që do të paguajë kontribut të mirë në vite, do të marrë pension të lartë. Propozimi i dytë janë pensionet sociale për ata që nuk kanë, nuk janë në gjendje të paguajnë kontribute e nuk marrin asgjë. Ne do të fusim pensionet sociale të barabarta me ndihmën ekonomike", ka deklaruar Veliaj. Sipas tij, skema ka parashikuar edhe zhdukjen e idesë pensione fshati - pensione qyteti, por të ketë vetëm pensione të cilat do të varen nga masa e kontributeve që derdhen.

Minatorët
Një tjetër risi e reformës është ndryshimi i moshës për profesionet e vështira siç janë minatorët, ndërkohë që pritet të ketë rritje të moshës për funksionarët e lartë shtetërorë. "Propozimi i katërt, po jo i fundit është se do të bëjmë një invers: do të ulim moshën e pensionit për profesionet e vështira, psh .minatorët dhe do rrisim moshën e daljes në pension, duke e bërë njëlloj me të tjerët, për zyrtarët", ka theksuar Veliaj. Sipas Ministrit të Mirëqenies Sociale sot numërohen rreth 7 mijë zyrtarë të lartë të cilët përfitojnë dalje të hershme në pension dhe pagesë të lartë. Skema e re e pensioneve do të kalojë në parlament këtë vit, dhe do të hyjë në fuqi në fillim të 2015. ndërkohë që javën e ardhshme do të nisë edhe diskutimi publik...

Free Traffic Exchange