A1 Report - Trafiku i heroines drejt Greqise si fshihet droga nga trafikantet

2015-08-22 8

Mënyra të ndryshme për të trafikuar drogën pa u vënë re. A1 Report dhe Shqiptarja.com kanë siguruar fotot e mënyrës së maskimit në trup të 2.5 kilogramë heroinë, e destinuar të trafikohej nga Shqipëria në Greqi. Pesë pakot e drogës janë ngjitur në trupin e Ardian Shurdhës, i cili ishte dhe korrieri i drogës.

Për të shmangur kontrollet e policisë, Shurdha përdorte mjetet e transportit publik. 42-vjeçari ka hipur në Elbasan si pasagjer në një furgon taksi 8+1 që bënte linjën Elbasan-Kapshticë. Pjesetarët e tjerë të grupit janë, Dritan Qesja, 35 vjeç, Shyqyri Sallaçi, 53 vjeç, Ervis Hasankolli, 30 vjeç, Aleks (Klodian) Kreçi, 36 vjeç që e ndiqnin dhe shoqëronin furgonin me një autoveturë.

Shurdha do të vijonte udhëtimin me mjetet e transportit publik edhe për të kaluar kufirin dhe vijuar udhëtimin brenda territorit grek nëse nuk do të ishte ndalur nga policia. Operacioni i përbashkët i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale dhe Policisë së Korçës u finalizua në aksin Bilisht-Kapshticë, në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar me Greqinë.

Operacioni që çoi në pranga krejt rrjetin e trafikut është koduar "Fallxhorja" pasi vetëm një fallxhore mund të zbulonte se në furgonin e pasagjerëve, njëri prej udhëtarëve ishte një korrier droge i maskuar me heroinën e fshehur rreth trupit

Grupi i trafikantëve të drogës u arrestuan mesditën e të mërkurës. Heroina e sekuestruar në tregun e shumicës së trafikantëve të drogës në Shqipëri vlente 200 mijë euro, ndërsa pas kalimit të kufirit, në territorin grek shitej po më shumicë 500 mijë euro