Ministria e Mbrojtjes ka nisur sot një helikopter Cougar, kërkim-shpëtimi, drejt qytetit të Bajram Currit për të ndihmuar zonat e thella të Tropojës për shkak të dëborës së madhe.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në bashkëpunim me Forcat Ajrore dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë sapo u krijuan kushtet atmosferike organizuan operacionin e ndihmës nga ajri në zonat e thella të Tropojës.
Në orën 11:30 u bë ngritja e helikopterit në drejtim të Tropojës me destinacion Bjeshkët e Lumit të Gashit, për t'ju ardhur në ndihmë 13 personave, të cilët u përballën me kushtet e vështira të motit.
Me anë të helikopterit u dërguan 40 pako me nga 10 kg secila, ushqime të shportës, veshmbathje, çadra dhe batanije si dhe dyshekë. Ndihmat ishin dhuratë e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe nga Rezervat e Shtetit.
Ndërsa 500 kg koncentrat dhe 300 kg hime dhe ushqime për bagëtitë, u siguruan nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në bashkëpunim me nënprefekturën Tropojë.
Banorët u bllokuan me 150 krerë bagëti të imta dhe 24 krerë bagëti të trasha, prej 2 ditësh. Në këtë zonë, trashësia e dëborës ka kaluar mbi 150 cm.