A1 Report - Akuzat e opozites per trafik droge Hila: Gjadri nuk ka infrastrukture

2015-08-22 3

LEZHË - Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila ka inspektuar ditën e sotme nga afër bazën ushtarake të Gjadrit në Lezhë, pas akuzave të opozitës se kjo zonë përdoret nga Forcat e Armatosura për transport të lëndëve narkotike.

Gjatë vizitës së tij, Hila ka deklaruar se, "teknikisht është e pamundur lëvizja e avionëve në këtë bazë ushtarake për shkak të mungesës së infrastrukturës, pasi është e mbushur me mbeturina dhe do të sillte çarje gomash për çfarë do lloj avioni, sado të vogël. E dyta e gjithë pista është e rrethuar me kanale prej vitesh në mënyrë që të mos lejohen garat me makina dhe motorra".

Pas një lumë akuzash që opozita ka lëshuar në drejtim të Forcave të Armatosura se po shfrytëzohet për të transportuar lëndë narkotike, zv/ministri i Mbrojtjes, Driatn Hila ka zbritur në terren, pikërisht në bazën ushatrake të Gjadrit ne Lezhë.

Pas inspektimit të kësaj zone, ai tha se teknikisht është e pamumdur që në aeroportin ushtarak të lëvizin avionë. Zv/ministri i Mbrojtjes shtoi se krahas prezencës së gurëve, kjo pistë ndodhet në një zonë të banuar dhe askush nuk ka parë asgjë.

Hila ka shtuar po ashtu se hapësira ajrore nuk monitorohet vetëm nga Shqipëria por edhe Aleatët e NATO-s. "Shqipëria ndodhet në mes të Europës, vëzhgohet nga aleatët, nga Italia dhe Greqia", është shprehur Hila.

Pak ditë më parë, edhe banorët e zonës së Gjadrit ne Lezhë reaguan duke hedhur poshte pretendimet e opozitës për bazë trafikimi të lëndëve narkotike.