Aksi rrugor Mamurras-Milot, vidhen trafikndarëset, mania skrap nuk ndalet

2015-08-22 4

Ashtu si në të gjithë vendin edhe aksi rrugor Mamurras-Milot nuk mund të shpëtonte nga grabitja e trafikndarësve, të cilat kanë vetëm një destinacion, shitjen për skrap. Me dhjetëra metra elementë përbërës së kësaj autostrade, jane grabitur dhe shkulur duke shtuar mundësitë për aksidente automobilistike.
Masakra që po ndodh mbi sinjalistikën e autostradave, nga jugu në veri, nuk po shqetëson aspak organet kompetente për parandalimin e këtij fenomeni negativ për të cilat ka investuar çdo qytetar i vendit tonë.
Mania skrap dhe grabitja e trafikndarëseve në këtë autostradë ndodh pa pushim, edhe pse policia ka bërë me dije se janë shtuar masat dhe kontrollet. Aksi Mamurras-Milot është tashmë pothuajse i zhveshur nga elementët metalikë, ndërsa rreziku i aksidenteve automobilistike është më afër se kurrë, pasi banorët edhe pse të ndërgjegjshëm për rrezikun preferojnë të kalojnë mes për mes autostradës nëpërmjet shtigjeve që vetë ata kanë hapur.
Duket se shumë shpejtë rrugët nacionale të vendit tonë do të kthehen në ish origjinën e tyre dhe sërish investimet do të jenë nga e para, duke rënduar direkt në xhepat e qytetarëve shqiptarë të cilët në një të ardhme ndoshta jo të largët do të duhet të paguajnë sërish për rindërtimin e tyre.