Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale më 13 prill, fuqizoi shqiptarët dhe ndërgjegjësoi maqedonasit. Kështu është shprehur zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani duke theksuar se "JO"-ja e shqiptarëve ndaj presidentit të njëanshëm, dëshmoi sërish fuqinë vendimmarrëse të shqiptarëve si komb shtet-formues në Maqedoninë Multi-Etnike. Osmani tha se 13 prilli ndërgjegjësoi bashkëqytetarët maqedonas dhe krerët e partive kryesore të tyre, të cilat po i drejtohen popullit shqiptar duke afirmuar rëndësinë e tyre.
"Kjo tregon se në kampin politik maqedonas çdo ditë e më tepër rritet vetëdija se matematika e numrave dhe politika multi-etnike nuk shkojnë bashkë. BDI-ja vlerëson se në paraqitjen e para disa ditëve të z. Zaev, kur kërkon votën e qytetarëve shqiptarë, është një hap përpara por jo i mjaftueshëm për ta kuptuar drejtë dhe saktë idenë e presidentit konsensual që promovojmë ne. Kur themi, presidenti konsensual duhet të jetë president i të dy komuniteteve, atij shqiptar dhe atij maqedonas", u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Osmani e ndërlidhi këtë qëndrim, duke kundërshtuar edhe qëndrimin e kreut të VMRO DPMNE-në, i cili përvetëson arritjet e deritanishme.
"Sot kur zoti Gruevski afirmon arritjet e qeverisë para shqiptarëve gjithashtu është një hap përpara, por jo i mjaftueshëm. Arritjet që afirmon kryeministri janë arritje që kanë ardhur si rezultat i bashkimit të dy programeve, atij të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Osmani theksoi gjithashtu se është zhgënjyes, fakti që liderët e partive maqedonase pretendojnë të bindin shqiptarët se ata kujdesen më së shumti se sa vetë BDI-ja. Osmani risolli në mendjen e qytetarëve shqiptarë pasojat negative të së kaluarës, kur fati i shqiptarëve varej pikërisht nga liderët maqedonas. Melihate Rustemi