Arritjet e BDI-së në sferën e politikës së jashtme sipas zv/kryeministrit Fatmir Besimi janë evidente, sado që partitë maqedonase mundohen të përvetësojnë meritat për punët e kryera. Gjatë prezantimit të platformës së BDI-së dhe synimeve të saj në diplomaci, Besimi theksoi para diplomatëve shqiptarë se kuadrot e BDI-së kanë qenë ata që kanë mbajtur mbi supe procesin e marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave dhe marrjen e 5 rekomandimeve për fillimin e bisedimeve.
"Pavarësisht se dikush prezanton si të arritura të një ane ose anës tjetër, duam të theksojmë që gjatë kësaj periudhe, kontributi i BDI-së ka qenë i drejtpërdrejtë në Qeveri, si në realizimin e statusit kandidat, ashtu edhe në liberalizimin e vizave, apo marrjen e rekomandimit për fillim e bisedimeve me BE-në. Asokohe kuadrot e BDI-së kanë qenë drejtues të grupeve dhe komisioneve për liberalizim të vizave, dhe gjithashtu për bashkëpunim ndërkufitar", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër.
Ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi theksoi se Maqedonia është e gatshme për anëtarësim të plotë në NATO, dhe këtë sipas tij, e ka dëshmuar me pjesëmarrjen e suksesshme në disa misione ndërkombëtare ushtarake. Por ajo për të cilën është angazhuar BDI-ja, përveç reformave për në NATO, është edhe pjesëmarrja e Kosovës në aktivitetet rajonale dhe ndërkombëtare.
"Mendoj se është kontribut i veçantë i BDI-së angazhimi dhe përkushtimi që në të gjitha forumet rajonale dhe ndërkombëtare, të bëjë pjesë edhe Kosova me përfaqësues të tyre për faktin e nevojës që ajo duhet të jetë prezente dhe të prezantohet para opinionit ndërkombëtar, duke e ditur faktin që nuk i kanë mundësitë e tjera", deklaroi Talat Xhaferi, Ministër i Mbrojtjes.
Funksionarët e BDI-së pajtohen se për integrimin e plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian duhet zgjidhje e shpejtë e çështjes së emrit. Për këtë shkak, sipas deputetes Ermira Mehmeti, BDI-ja do të vazhdojë aktivitet diplomatike për nxitjen përpara të bisedimeve për emrin.
"Aktivitetin diplomatik të cilin e ka bërë z. Ali Ahmeti, Fatmir Besimi, para tij Teuta Arifi, Talat Xhaferi, të gjitha këto flasin për një përkushtim tonin për të kontribuar në mënyrë serioze për zgjidhjen e çështjes së emrit. Besoj se ky është një ndryshim cilësor në logjikën e organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët duket se në 10 vjeçarin e parë të pluralizmit dhe pastaj në 15 vjetët pas Marrëveshjes së Ohrit, kryesisht ishin të përqendruar në korpusin e temave vetëm etnike", u shpreh Ermira Mehmeti, Bartëse e listës në njësinë 1.
Diplomatët dhe të punësuarit në Ministrinë e Jashtme u interesuan për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në këtë ministri dhe përfaqësitë diplomatike. Vëmendje e veçantë gjatë komenteve të tyre u përqendrua edhe në faktin që asnjë nga 3 postet kryesore në Ministrinë e Jashtme nuk udhëhiqet nga shqiptarët. Benjamin Arifi