Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka pranuar të lirojë Gerti Pashja pavarësisht se 30-vjeçari ka mohuar akuzat për terrorizëm, apo rekrutim të shqiptarëve për të luftuar në Siri.
"Nuk kam lidhje me terrorizmin, kam predikuar vetëm fenë islame. Do të kthehesha vetë në Shqipëri, por më arrestuan autoritetet turke dhe më sollën në Tiranë" mësohet të ketë thënë para gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda Sandër Simoni.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" të vendosur në mungesë ndaj tij, menjëherë pas arrestimit në Tiranë të 8 personave të tjerë të dyshuar për terrorizëm, pjesë e së njëjtës celulë, ku bën pjesë edhe 30-vjeçari.
Gjyqi u ndërpre për disa minuta, pasi Pashja kërkoi avokat z. Kambo, i cili njoftoi se ndodhej jashtë Tiranës
Pas pamundësisë për praninë e avokat Kambos, Gjykata caktoi Jalldyz Kastratin, avokate kryesisht të Gerti Pashjas.
Pretendimet e akuzës u mbrojtën nga prokurorja Elizabeta Imeri.
Gerti Pashja u vu në pranga dy ditë më parë në Rinas menjëherë pas deportimit të tij nga Turqia.
Ndërkaq mbetet e paqartë ende se si u soll në Shqipëri 30 vjeçari, i cili vetëm pak ditë më parë deklaroi në Ora News se nuk do të kthehej në vendin e tij, për sa kohë është akuzuar padrejtësisht. Ai hodhi poshtë të gjitha akuzat, por ndërkohë pranoi se është për shtetin e Sherihatit, apo shtetin islamik. Gerti Pashja deklaroi se nuk ka çuar asnjë person në Siri, por nga ana tjetër pranoi se në Siri po bëhet Xhihad, apo luftë e shenjtë.