Makina e pronarit të një lokali në zonën e shëtitores "Taulantia", në qytetin e Durrësit shpërtheu me eksploziv sot rreth orës 07:52.
Shpërthimi ndodhi pak sekonda pasi drejtuesi i mjetit, Edi Xhepa, kishte zbritur nga makina të cilën e kishte parkura para lokalit, informon korrespondenti ynë në Durrës, Llambi Kallço
Sipas policisë, lënda eksplozive ishte vendosur në parakolpin e makinës tip 'Volkswagen' me targa DR 2137 R.
Nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale, informon gazetari ynë në Durrës, Llambi Kallço.
Shpërthimi, pak sekonda pasi zbriti nga makina
Mësohet se Xhepa sapo ishte kthyer nga një zonë jashtë Durrësit dhe kishte parkuar makinën përballë lokalit. Pak sekonda pasi ka mbyllur derën e mjetit dhe është drejtuar për te lokali ka dëgjuar shpërthmin e makinës.
Sipas të dhënave të para nga grupi hetimor mendohet se shpërthimi ka qenë i telekomanduar.
Ngjarja dyshohet se ka si motiv konkurencën, pasi Xhepa njihej si person i rregullt dhe serioz në qytetin e Durrësit.Policia ngre grupin hetimor
Sipas policisë së Durrësit shpërthimi ndodhi rreth orës 07:52 në momentin kur makina ka qenë e parkuar.
"Shpërthimi ka ndodhur në automjetin me targa TR 2137 R, ishte i parkuar në parkingun e një lokali.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme material në pjesën e përparme të automjeti, por nuk ka njerëz të lënduar" thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Durrësit. Një grup hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.