KUKES - Dhe 15-vjetori i përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, ku si pasojë e luftës humbën jetën mijëra qytetarë kosovarë, nuk i ka bashkuar mazhorancën dhe opozitën shqiptare, teksa të dy qeveritë organizuan dje takim në Kukës. Nga ajo çka u vu re ishte mungesa e përfaqësuesve të opozitës, mes tyre kreut të PD, Lulzim Bashës. Sipas tij, ai nuk është bërë pjesë e kësaj axhende për shkak se nuk mori ftesë. "S'kam ftesë për në Kosovë për të marrë pjesë në përkujtimin e eksodit në Kosovë. Mund të më ketë ardhur në mëngjes, por s'jam në dijeni. Nëse do ftohesha më pas do konsultohesha sa i takon vizitës", tha Basha. Menjëherë ka reaguar mazhoranca përmes një deklarate për mediat. "Është për të ardhur keq që në një ditë përkujtimore kaq të rëndësishme, flitet për detaje protokollare të paqena. E vërteta është se opozita është ftuar në takimin e Kukësit, nominalisht, ashtu siç janë ftuar në aktivitete edhe të gjithë deputetet e Kuvendit, përfshirë deputetët e opozitës!", thuhet në deklaratë.
Ish-Kryeministri Berisha reagon në Facebook në përvjetorin e eksodit të mijëra familjeve shqiptare të Kosovës. "15 vjet më parë ish kasapi i Ballkanit ndërmori spastrimin etnik e genocidin kundër shqiptarëve të Kosovës. Drejt Shqipërisë u nisën rreth 1 milionë shqiptarë. Millosheviçi, me operacionin "Patkoji i Kalit", synonte të realizonte jo vetëm spastrimin etnik të Kosovës, por dhe përhapjen jashtë ish Jugosllavisë në Shqipëri të dramës së madhe njerëzore që kishte krijuar", tha Berisha, teksa këmbëngul se projekti i tij dështoi pasi shqiptaret, nga veriu në jug hapën zemrat dhe vatrat e tyre për vëllezërit të ndare prej 50 vitesh.