Ushtria në trafik droge, Basha: Rama të përgjigjet a ka dijeni, nëse po çfarë hapash ke marrë?

2015-08-22 0

"Kryeministër ke apo jo informacion për përdorimin e strukturës ushtarake për trafik droge?" Me këtë pyetje i është drejtuar kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha, shefit të qeverisë Edi Rama pas përfundimit të takimit të tij me Ambasadorët e BE në Tiranë.

Sipas Bashës "heshtja apo refuzimi për tu përgjigjur dhe krijimi i pengesave antiligjore vetëm shton dhe nuk ndihmon në transparencën dhe daljen e përgjegjësive të gjithsekujt.

"Rrëzimi i kërkesës është absurde, i paprecedent dhe do të thoja i paligjshëm.Opozita ka kërkuar nga qeveria dhe kërkon tashmë jo vetëm nga Ministrja e Mbrojtjes, por dhe Kryeministri të shprehen mbi një çështje jashëtzakonisht të rëndësishme për opinionin publik, për shoqërinë, vendin, për çështjen nëse kanë apo jo dijeni për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik narkotikësh dhe nëse kanë dijeni, çfarë masash kanë marrë. Heshtja, apo akoma më keq refuzimi për tu përgjgijur, apo akoma më keq krijimi i pengesave artificiale dhe antiligjore, si në rastin e zotit.Braho vetëm sa shton peshën dhe barrën e dyshimit dhe nuk ndihmon aspak në transparencën dhe daljen e përgjegjësive të gjithësekujt. Akoma më pak e ndihmon këtë praktika e vjetër dhe e dalë boje e hapjes së 100 çështjeve të tjera, shumica e të cilave të pavërteta, me shpresën se opinioni publik do të ngatërrohet si një fëmijë i vogël dhe do të harrojë çështjen kryesore. Çështja kryesore që nuk mund ti ikë është: Zoti Kryeministër a ke apo jo informacion për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik narkotikësh. Nëse ke, çfarë masash ke marrë? Kjo është një pyetje jo vetëm e opozitës, por dhe e opinionit publik, jam i sigurtë që është një pyetje që do ta ndjekin me shumë interes edhe partnerët tanë, është në dinjitetin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, është në dinjitetin e FA që e kanë fituar vetë, pavarësisht prej sindromave të vitit zero të kësaj administrate që të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësi karshi kësaj pyetje dhe detajeve që janë të lidhura me të" tha Basha.