Afera me pikat abuzive të karburanteve. Ja si i vjedhin qytetarët, shteti mjaftohet me gjoba

2015-08-22 3

Pavarësisht se Inspektoriati Qendror Teknik bëri publike listën me 45 subjektet që janë gobitur, ato vijojnë që të ushtrojnë normalisht aktivitetin e tyre, duke dëmtuar konsumatorët shqiptarë.

Kjo çështje ngre një tjetër problem faktin se sasia e karburanteve që është konstatuar jashtë standarteve vijon të shitet.

Por abuzimet nuk përfundojnë këtu, pasi kjo sasi hidrokarburesh vazhdon të shitet kundrejt të njëjtave çmime, ose dhe më të larta se normalja e tregut, duke dëmtuar kompanitë serioze që operojnë në tregun shqiptar.

Inspektimi dhe gjobvënia ndaj këtyre subjekteve erdhi pas konstatimit të problemeve me standardin e pikës së flakërimit si dhe përqindjen e squfurit të cilat janë, jashtë normës ligjore.

Ekspertët shprehen se ndaj këtyre kompanive fantazëm, të cilat operojnë në zona jo shumë të njohura ose në periferi, duhet të merren masa edhe për bllokimin e sasisë së karburantit jo vetëm përmes vendosjes së gjobave por të zgjerohet hetimi deri tek furnizuesi.

Masa e gjobës së vendosur në këto raste nga IQT varion nga 300.000 deri në 1.000.000 lekë, një shumë që mund të paguhet shumë lehtë, duke mos u bërë aspak një penalitet për këto pika karburanti.

Gjatë inspektimeve është konstatuar se një pjesë e subjekteve kishin edhe mungesë të dokumentacionit të duhur tekniko-ligjor për ushtrimin e aktivitetit të tyre dhe ndaj tyre gjithashtu është vendosur gjobë, duke mos zgjidhur kështu asgjë.

Tregu i karburanteve në Shqipëri ka qenë përherë problematik, por gjendja rëndohet më shumë sidomos prej subjekteve që nuk përmbushin standartet, të cilat vazhdojnë të operojnë në treg edhe pse institucionet shtetërore i konstatojnë këto shkelje.

Njohës të kësaj fushe bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë, në mënyrë që të të mos e paguajnë qytetarët shqiptarë dhe të mos dëmtohet konkurenca e ndershme.