Jankullovska pa përgjigje konkrete për incidentin në Radishan

2015-08-22 0

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska nuk dha përgjigje për tentativën për të fshehur të vërtetën e plotë lidhur me incidentin në Radishan, për të cilin thonin se erdhi si pasojë e një aksidenti trafikut. Incidenti rezultoi të jetë sulm klasik mbi një familje shqiptare, e cila tashmë disa herë është viktimë e torturës. Këtë e pranoi edhe Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, vetëm pasi kamerat private të familjes Zeqiri zbuluan çka në të vërtetë kishte ndodhur të dielën mbrëma. Jankullovska tha se puna e policisë lidhur me këtë rast ka përfunduar, duke ngritur 5 padi kundërvajtëse dhe 1 padi penale, për vozitësin që kishte sulmuar turmën me veturë, i cili tashmë është në paraburgim.

"Për ne ky rast është i përfunduar. Ne kemi ngritur 6 padi. 5 janë kundërvajtës dhe 1 është penale varësisht prej motiveve dhe gjithë rekonstruimit të ngjarjes. Sidoqoftë kompetencat e mëtejshme janë tek prokurori i cili gjatë procedurës së mëtutjeshme mundet mund të vërtetojë edhe motive të tjera", tha Gordana Jankullovska, ministre e punëve të brendshme.

Faik Zeqiri, njëri nga anëtarët e familjes që tashmë disa herë është pre e sulmeve të tilla, shpjegon se nuk është bërë fjalë për ndeshje trafiku, por për sulm ndaj familjes së tij nga një grup i madh huliganësh. Madje, Zeqiri shpjegon se atë natë ka pasur edhe të shtëna me revole nga ana e sulmuesve maqedonas, gjë që nuk përmendet në raportet policore.

"Nuk ka pas ndeshje, incizimet i keni, ndeshje nuk ka pas. Kjo ka qenë një grup i madh huliganë, pijaneca, narkomana, që i njeh edhe shteti.... Njëri prej tyre u lëshua këndej dhe mua më thotë do të ju djegim, do ju vrasim, unë i thash largohu mu hiq qafësh, doli një djalë vëllai dhe i ra. Ata kishin qenë gati dhe sikur janë incizimet në kamerë, ka filluar rrahja në rrugë. Njëri kishte qenë i përgatitur me veturë, ne kur kemi dalë të gjithë, ai morri hov me veturë dhe nëna ime ka dalë pas nesh, dhe ai të gjithë na ka shti nën veturë, edhe të palës maqedonase, edhe neve, edhe nënën time", Tha Faik Zeqiri, familjar.

Policia nuk ka njohuri nëse incidenti ka lidhje me zgjedhjet dhe aktivitetet partiake, edhe pse familjarët shpjegojnë se sulmuesit kanë dalë nga shtabi partiak i VMRO-së, menjëherë pranë shtëpisë së familjes Zeqiri. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange