Kukës, bashkohen qeveritë shqiptare

2015-08-22 1

Në qytetin e Kukësit me një mbledhje të përbashkët dhe aktivitete të shumta po shënohet 15 vjetori i eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, të cilët nën dhunën e represionit serb u dëbuan në Shqipëri. Dy kryeministrat shqiptar Rama dhe Thaçi shprehën falënderime për SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Hashim Thaçi tha se sot kombi shqiptar është jo vetëm i bashkuar por edhe më i sigurt. Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se ëndrra e shqiptarëve është që të jenë një komb në Europën e Bashkuar.

"Përgjegjësia e jashtëzakonshme e jona, e imja, e Hashim Thaçit në radhë të parë, pastaj me siguri e të gjithë ministrave, po pa diskutim të gjithë deputetëve dhe jo vetëm të shumicës por edhe të opozitës është që të japim më të mirën që ëndrra që Adem Jasharin e çoi në atë flijim prej legjendash të bëhet realitet, jo më duke marrë pushkën, sepse askush nuk ja kërkon askujt jetën sot, por duke bërë me jetën tonë diçka të vlefshme, për jetën e kombit tonë dhe duke e bërë jetën tonë një kontribut të vyer për ndriçimin e mendjes dhe të rrugës së kombit tonë, sepse jemi një komb dhe ëndrra jonë është që të jemi një komb i bashkuar në Europën e Bashkuar", tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Rama ka thënë gjithashtu se sa më të fortë të jenë shqiptarët kudo ku jetojnë, aq më i fortë është kombi dhe aq më fort mund të mbështesim njëri- tjetrin për të mbrojtur të drejtat jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në Preshevë Maqedoni e kudo. Në aktivitetin e organizuar në Kukës, në 15-vjetorin e përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu mirënjohje edhe për Partinë Demokratike dhe ish-kryeministrin Berisha, për atë që ai e cilësoi si përpjekje të përbashkët të shqiptarëve për Kosovën e pavarur.

Nga Kukësi doli edhe iniciativa që nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës, shumë shpejt të mësojnë me një tekst unik, i cili do të miratohet nga qeveritë e të dy vendeve. Nuk ka pse të ketë një libër ndryshe në Tiranë dhe në ndryshe në Prishtinë. Unifikimi do të ndodhë shumë shpejt pasi jemi në prag të një ngjarje të madhe mes dy vendeve, ka thënë ministri i arsimit të Kosovës Ramë Buja.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkoi heqjen e barrierave doganore për lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve, pasi siç u shpreh ai, nuk mund të ketë kufij mes dy vendeve tona, së pari në bashkëpunimin ekonomik, pasi do të jetë ky që do të çojë më pas në bashkimin kombëtar të dy vendeve.

Manifestime të shumta janë planifikuar për këtë përkujtim në Kukës, ku 15 vite më parë mbërritën më shumë se 530 mijë shqiptarë të Kosovës, të cilët ishin dëbuar nga forcat serbe.
Për herë të parë kjo datë merr një përmasë të tillë. Alsat-M