Dëborë në pranverë në zonat malore, mungon energjia, vështirësi kalimi në disa akse

2015-08-22 4

Dëbora mungoi në dimër por është kthyer në pranverë.

Zonat malore në veri dhe juglindje të vendit janë mbuluar nga dëbora.

Në rrethin e Pukës, trashësia e dëborës në disa zona ka arritur deri në 60 cm, për pasojë në akset: Qafë Mali - Fierzë, Fushë Arrëz - Iballë dhe Qafë Qelë - Qelëz qarkullimi i automjeteve kryhet vetëm me zinxhirë. I gjithë rrethi i Pukës ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike, ku një defekt në linjën kryesore ka bërë që vetëm qyteti të ketë energji, ndërsa të gjithë fshatrat prej 24 orësh janë në errësirë. Reshje të dendura ka patur edhe në rrethin e Malësisë së Madhe, ku problematike janë akset Boge - Qafë Thore dhe Selcë - Vermosh.

Në qarkun e Dibrës në zonat rurale arrin në 25 centimetër, ndërsa në qytet 15 centimetër. Dhe qarkullimi i mjeteve në zonat rurale në këtë qark kryhet vetëm me zinxhirë. E njëjta situatë është edhe në zonat malore në Tropojë, ku ka vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Kjo situatë ka shkaktuar edhe ndërprejrje të energjisë elektrike në pjesën veriore të Shqipërisë konkretisht në zonat: Kalimash, Fushe-Arrëz, Kukës dhe Bajram Curri.

Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve edhe në qarkun e Korçës. Aksi rrugor Qafë Thanë-Prrenjas është i pakalueshëm dhe po punohet për ta hapur me borëpastruese.

Aksi rrugor Qafë Plloçë- Grabovicë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Në aksin Pogradec - Korçë shumë automjete kanë ndaluar, pasi nuk mund të qarkullohet pa zinxhirë, për shkak të trashësisë së dëborës 10 cm dhe kjo situatë i ka gjetur të papërgatitur.