Rëshkitjet e shumta të tokës dhe erozioni duket se nuk po lënë të prehen në paqe personat të cilët prehen në varrezat e fshatit Ceruje të Bashkisë Klos. Prej 3 vitesh ato kanë shënuar zhvendosje, ndërsa shumë prej varreve kanë mbetur të hapura. Banorët shprehen se kjo situatë ka ardhur si pasojë e shkarjeve të shumta të dheut, ndërkohë që është i domosdoshëm ndërtimi i një muri mbrojtës ose në rastin më të fundit, zhvendosja e tyre në një tjetër vend.
Përballë këtij fakti tepër shqetësues deri më sot nga ana e pushtetit vendor, nuk është marrë asnjë masë, ndërkohë që degradimi i varrezave po shtohet nga dita në ditë dhe në qoftë se nuk ndërhyhet nuk do të jetë e largët dita kur eshtrat e personave që kanë ndëruar jetë të përfundojnë në përroin e zonës.