Përplasje tragjike e 3 makinave në Fier, humbin jetën 3 persona

2015-08-22 2

FIER -- Përplasja e tre automjeteve në aksin Fier-Tepelenë ka rezultuar fatale për tre persona të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa 5 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Aksidenti tragjik është shënuar në vendin e quajtur Kafaraj. Një automjet tip Renault me targa AA 955 DX është përplasur me një kamion me targa TR 06 99 F, i cili qëndronte i parkuar në anë të rrugës, ndërsa makina tjetër e përfshirë në aksident është një Benz.

Trupat e dy prej viktimave që ndodheshin në automjetin tip Renault, janë nxjerrë me vështirësi nga makina, për shkak se ishte shkatërruar thuajse plotësisht nga përplasja me kamionin.

Sipas informacioneve paraprake, mendohet që viktima e tretë të jetë drejtuesi i kamionit, i cili e kishte lënë automjetin në anë të rrugës për të mbushur ujë në një kanal vaditës. Trupi i pajetë është gjetur në kanal, dhe mendohet që shoferi i kamionit të jetë goditur nga makina ndërsa ka qenë anës kanalit.

Dyshohet që në automjetin tin Benz të 5 personat e plagosur ti përkasin të njëjtës familje.

Paraprakisht dyshohet që shkak i aksidentit të ketë qenë lagështira në rrugë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë për të zbardhur shkaqet reale të aksidentit fatal me 3 viktima dhe 5 të plagosur.

Free Traffic Exchange