A1 Report - Shkarkohet gjyqtari i Shkodrës KLD paralajmëron dhe 4 të tjerë

2015-08-22 14

TIRANË -- Këshilli i Lartë i Drejtësisë i drejtuar sot nga Presidenti Bujar Nishani ka shkarkuar nga detyra, gjyqtarin e Shkodrës, Albano Çepele dhe ka marrë masa ndëshkimore për katër gjyqtarë të tjerë, emrat e të cilëve i janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë.

Kështu, përveç shkarkimit të Çepeles, KLD-ja ka vendosur transferimin nga Gjykata e Rrethit Tiranë në një gjykatë të nivelit më të ulët, për një periudhë dyvjeçare, gjyqtaren Elona Gjoka. Po ashtu, KLD-ja i ka dhënë vërejtje me paralajmërim për pushim nga detyra për tre gjyqtarët e tjerë: Enkelejda Hoxha, Nazmije Pengili, Ëngjëllushe Tahiri, të tria në Gjykatën e Rrethit Krujë.

Për tre gjyqtaret e Krujës, Ministria e Drejtësisë e ndryshoi propozimin fillestar nga "Shkarkim nga detyra" me "Vërejtje me paralajmërim."

KLD-së i është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të marrë masa ndaj pesë gjyqtarëve, të cilët rezultuan me shkelje në detyrën e tyre pas kontrollit që ndërmori Inspektoriati i KLD-së. Në adresë të këtyre gjyqtarëve ka pasur një mori ankesash që konsistonin në zvarritje të pajustifikueshme të proceseve gjyqësore, shkelje haptzai të ligjit procedurial dhe moszbatim të vendimeve unifikuese.

Në hapje të mbledhjes, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në kushtet e mungesës së plotë të transparencës, Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani ka deklaruar se "KLD-ja nuk do të hezitojë asnjëherë, që ato gjyqtarë, të cilët do të guxojnë të shkelin dhe mosrespektojnë ligjin, të përballen me masa tepër të ashpra"
Kjo mbledhje ishte parashikuar më 11 prill, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka shtyrë për sot marrjen e masave disiplinore për 5 gjyqtarët, të propozuara nga Ministria e Drejtësisë. KLD e argumentoi shtyrjen me numrin e madh të çështjeve për diskutim në rendin e ditës dhe me rëndësinë që ka diskutimi i procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve.