A1 Report - Bashkepunimi me Italine ne bujqesi Panariti:Lançojme 3 projekte te reja

2015-08-22 0

TIRANE - Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Ambasadori i Italisë Massimo Gaiani gjatë një konference të përbashkët për shtyp lançuan fillimin e programit italian për zhvillimin e sektorit të bujqësisë shqiptare me vlerë 10 mln euro.

Në fjalën e tij Panariti ndërsa tregoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi italo-shqiptar, prezantoi edhe 3 projektet në bujqësi që do të financohen nga bashkëpunimi me Italinë.

"Këto fonde do të shkojnë për zhvillimin e bujqësisë si tre projekte shumë të rëndësishme. Në radhë të parë projekti që do të mbështesë Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, duke promovuar integrimin e shpejtë të kësaj agjencie në procedurat e akreditimit për përpunimin e fondeve, qofshin këto të skemave kombëtare, apo të donatorëve. Projekti i dytë do të jetë për zhvillimin e ullirit, ku kemi padyshim objektiva ambicioze për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, veçanërisht duke synuar përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së vajrave shqiptarë." tha ministri

Duke vazhduar më tej në fjalën e tij Panariti tha se projekti i tretë që do të financohet në bujqësi ka të bëjë me sigurimin e prodhimit bujqësor të fermerit, një risi siç e cilësoi edhe ministri.

"Projekti i tretë i cili është një risi absolute ka të bëjë me futjen për herë të parë në sistemin bujqësor shqiptar të skemave të sigurimit të prodhimeve bujqësore. Tashmë fermeri shqiptar ka në dorë të sigurojë prodhimet bujqësore, të sigurojë përpjekjet dhe mundin e sakrificave të tij nëpërmjet skemave të lehtësuara të sigurimeve shëndetësore dhe pikërisht ky projekt nëpërmjet një ndërhyrjeje pilot do të japë zanafillën e futjes për herë të parë të skemave të sigurimit të prodhimeve bujqësore, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe prodhimit bujqësor në tërësi." përfundoi Panariti

Ndërkohë nga ana e tij ambasadori Italian Gaiani tha se ndihma në bujqësi nga ana e Italisë vjen në kuadër të synimit të shtetit Italian për mbështetjen në rrugën drejt Evropës.

"Kooperacioni Italian do të vërë theksin mbi të gjitha në bashkëpunimin me Shqipërinë në fushën e bujqësisë sepse është një nga fushat parësore Italia do të ndihmojë Shqipërinë në rrugëtimin drejt Europës dhe bujqësia është një ndër fushat prioritare në këtë kuptim. Mendoj se Italia nga ana gjeografike ngjan shumë më Shqipërinë, madje edhe për mënyrën se si punohet, ndaj ne mendojmë se mund të japim një kontribut të rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë." tha ambasadori Gaiani

Nga këto 10 milionë euro, rreth 5milion do të jepen si fond mbështetje për fuqizimin e sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit të Agjencia e Zhvillimit Bujqesor dhe Rural, rreth 3 milion euro mbështetje për Sektorin e Ullishtarisë; 2 milion Euro, mbështjetje për një pilot për sigurimet e lehtësuara në bujqësi.