TIRANË- Maxhoranca dhe opozita kanë kërkuar riformulimin e projektligjit "Për përfitimin e përkrahjes sociale" nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Pavarësisht debateve, deputetët në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, kanë kërkuar më tepër transparencë mbi kriteret e përfitimit të përkrahjes sociale nga shtresat në nevojë.
Opozita e ka cilësuar projektligjin si të paplotë dhe me mangësi serioze, duke lënë vend sërish për abuzime në ndarjen e parave.
Për kryetarin e Komisionit, Deputetin Erjon Braçe, skema e shpërndarjes së fondeve për të varfrit, ka qenë e mbushur me abuzime të mëdha.
Ndërsa Zv/ministrja e Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula, u ka kërkuar ligjvënësve një periudhë 6-mujore për vënien në aplikim të ligjit që ajo e ka konsideruar si ligj pilot.
Projektligji që synon një ndarje të merituar të fondeve për përkrahjen sociale, do të zbatohet sipas një modeli me pikë dhe do të bazohet mbi një regjistër elektronik të dhënash.