Rreth 300 kilogramë marihuanë të cilësisë së lartë është sekuestruar mbrëmë nga policia gjatë ndalimit të dy shtetasve të Maqedonisë në afërsi të fshatit Radozhdë të Strugës. Të arrestuarit kanë pranuar se ishin thjesht pjesë e zinxhirit transportues të lëndës narkotike, nga Radozhda deri në Gjevgjeli, dhe për këtë ishin paguar 9 mijë euro. Më vonë, ata kanë treguar edhe emrin e marrësit të lëndës narkotike, i cili do ta transportonte lëndën në një vendmbërritje të re. Edhe ky person i tretë, ka përfunduar në pranga. Sipas të dhënave të policisë, lënda narkotike vinte nga Shqipëria dhe synohej të tregtohej në vendet e Evropës.
'Dje rreth orës 15.00 pas informacioneve të marra paraprakisht për aktivitete të dyshimta në afërsi të fshatit Radozhdë të Strugës janë marrë masa operativo-taktike dhe u vendosën prita nga ana e policisë në afërsi të vendit Ledinë. Nw Radozhdë ishin vërejtur 9 çanta të mbushura. Rreth orës 16:30 minuta nga ana e policisë është vërejtur një veturë me targa të Kërçovës dhe dy persona që u ishin afruar çantave dhe kishin filluar t'i marrin në veturën e tyre. Pas reagimit të policisë u arrestuan dy persona nga Kërçova. Ata ishin të moshës 33 dhe 42 vjeç prej të cilëve njëri është punonjës policie në Stacioni policor që siguron vendkalimin Strezimir', deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Pas zbardhjes së plotë të rastit, MPB-ja planifikon inicimin e padive penale për vepër penale të 'trafikimit të lëndëve narkotike'. Valmir Kuçi