Mungesa e ujit vaditës, fermerët: Po na prishen prodhimet, nuk marrim zgjidhje

2015-08-22 2

Rritja e temperaturave dhe afrimi i stinës së nxehtë të verës, shoqërohen me probleme të shumta për fermerët në Komunën Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Mungesa e ujit vaditës për tokat bujqësore mbetet problemi kryesor që për vite me rradhë nuk ka gjetur zgjidhje. Bujqësia është një nga sektorët ku banorët investojnë më së tepërmi për të mundësuar nxjerrjen e të ardhurave, por jo në pak raste prodhimi i tyre ka shkuar dëm, pikërisht si pasojë e mugesës së ujit vaditës. Në Komunën Fushë-Kuqe janë gati 8000 hektarë tokë bujqësore ku pjesa më e madhe e saj vazhdon të jetë e lënë djerrë, ndërsa siç thonë vetë fermerët, apelit të tyre për ndërhyrje nga instancat përkatëse, askush nuk i është përgjigjur.
Kanalet vaditës të ndërtuar shumë vite më parë vazhdojnë të kenë kujdesin e fermerëve me shpresën se situata do të ndryshojë, por sërish siç shprehen ata, mbjellja e patates dhe shalqirit, që janë dy nga kulturat që kultivohen më së shumti po dështojnë nga viti në vit. Ndonëse sezoni i mbjelljeve ka kohë që ka filluar, tokat bujqësore në këtë komunë janë pothuajse të gjitha të papapunuara, kjo edhe si mungesë e subvencionimeve e sidomos çmimit të lartë të tregut me të cilat duhet të përballen këta fermerë.