A1 Report - Basha-Metes: Jeton ne planet tjeter, s'pergjuam sms e Tahirit

2015-08-22 1

TIRANE - Lulzim Basha ka ironizuar deklaratën e djeshme të kreut të parlamentit Ilir Meta i cili tha se dalja në pah e sms së Ministrit Tahiri nga PD, ishte një medalje në gjoksin e Tahirit. Basha i ka cilësuar zyrtarët kryesorë të qeverisë si të një planeti tjetër.

"Ata mund të vazhdojnë të lajnë e të lyejnë njeri tjetrin me skandalin e radhës, siç bëri dje kryetari i Kuvendit në një prononcim që nuk u kuptua, e kishte për tu tallur, apo jeton në një planet tjetër, kur e konsideroi mesazhin e dështimeve një medalje në gjoksin e Tahirit. Kjo bindje përforcohet kur dëgjon Kryetarin e Kuvendit të flasë për konsensusin e dhënë opozitës për reformën vendore, kur vetë kryeministri nga foltorja e Kuvendit deklaroi se konsensusin për këtë reformë shumica e tij nuk e jep me arsyetimin absurd se opozita mund të marrë peng parlamentin. Në fakt, në një planet tjetër nuk e dimë a janë apo jo, por që nuk janë e nuk jetojnë me Shqipërinë, këtë e sheh kushdo që ka sytë në ballë", tha lideri i opozitës.

"NUK PERGJUAM SMS E TAHIRIT, MINISTRI PRANOI TE VERTETEN E RENDIT"
Kreu i demokratëve ka sqaruar se opozita nuk ka përgjuar askënd dhe se ekzistenca e mesazhit vërteton propagandën e qeverisë, për ta paraqitur rendin në kundërshti me realitetin.

"Sipas informacioneve dhe siç duket qartë nga shumë elementë, mesazhin ia ka dërguar kryeministri. Por për ne kjo nuk është thelbësore në raport me përmbajtjen e mesazhit, të cilin ministri u detyrua ta pranojë si të vërtetë. Tre gjëra dëshiroj të nënvizoj në këtë moment, duke e lenë debatin të zhvillohet lirisht.

E para, opozita merr informacione që zyrtarët e qeverisë i qarkullojnë mes njeri tjetrit apo i postojnë në funksion të lojërave të tyre politike të brendshme, por opozita as nuk përgjon, as do të përgjojë njeri, sepse përgjimi është i përjashtuar parimisht si burim informimi nga ne.

E dyta, ashtu si opozita nuk e ka siguruar e nuk do ta siguronte kurrë, me asnjë formë përgjimi nga ana e saj informacionin, ky mesazh dhe përmbajtja e tij tregojnë fare qartë se çfarë është problem. Problem është përmbajtja dhe jo se kush e çoi dhe kush e mori.

E treta, mesazhi, i shkruar dhe i dërguar nga Rama, apo i shkruar dhe i dërguar nga Tahiri tregon se kryeministri dhe ministri e njohin fare mirë realitetin e zymtë të dështimeve dhe përkeqësimit tronditës të gjendjes në rendin publik, por e fshehin këtë realitet, e paraqesin me ngjyra rozë përmes qeverisjes së tyre propagandistike të mbështetur në gënjeshtrën dhe mashtrimin.

Përmes mesazhit, ata janë kapur e dorëzuar publikisht si gënjeshtarë dhe mashtrues të dorës së parë. Çfarë do të bëjnë pas kësaj? Opozita dhe opinioni publik presin gjestin dhe aktin normal që bën në raste të tilla një mashtrues që kapet me presh në dorë", - tha Basha.