TIRANE - Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, në pritje të fillimit të seancës ku do të dëshmonin familjarët e Lamajt ka shkëmbyer batuta me një të afërmin e tij. Grabitja e biznesit të vëllait të tij, deputetit Mark Frroku, ka qenë tema ku bazoheshin batutat. Ndërsa një familjar i thotë se "me këtë çështje po merret shteti për kapjen e grabitësve", Arben Frroku thotë se "shteti nuk t'i gjen".
"Frroku: A i gjete grabitësit?
I afërmi: ë, është duke u marrë shteti.
Frroku: Po shteti nuk t'i gjen, a do më t'i gjet unë, t'i kam gjetur. Cili shtet mor, shteti mu më gjen, ma prish zyrën."
GRABITJA E BIZNESIT TË DEPUTETIT FRROKU, U MORËN 1.6 MLN LEKË
"Ushtarakët", grabitën me armë 1.6 milionë lekë në biznesin e deputetit Mark Frroku. Policia e Tiranës ka dhënë gjatë ditës së sotme detaje në lidhje me grabitjen e ndodhur ditën e djeshme në orën 10:36 minuta.
Sipas policisë, "në datën 14 prill 2014 rreth orës 10.36, në rrugën "Konferenca e Pezës", në ambientet e kompleksit A.M.L. 4 persona të veshur me rroba ushtarake kanë vjedhur me dhunë pikën e basteve "Xhoi Co 21", me menaxher shtetasin Alban. M".
"Autorët kanë vjedhur shumën e 1.600.000 lekëve dhe më pas janë larguar me një automjet tip "Opel Astra", me targa italiane BD 899 NM, automjet i cili është gjetur i djegur në vendin e quajtur "Qafa e Kasharit", bëri të ditur Policia e Tiranës.
Sipas policisë së kryeqytetit, punonjësit e policisë janë duke punuar intesinsivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.