Gjirokastër, në makinë i gjejnë 50 kg drogë, në banesë tritol e armë

2015-08-22 1

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Sektori Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, në orët e para të mëngjesit të sotëm është zhvilluar operacioni i koduar "Hënë e Plotë" ku janë sekuestruar 50 kg marijuanë ndërsa në pranga kanë rënë dy persona.
Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor Gjirokastër- Uji i Ftohtë, poshtë fshatit Hormovë u bë kapja e automjetit tip Benz me targa AA 804 AF, që transportonte lëndë narkotike si dhe e drejtuesit të automjetit 42-vjeçarit Shpëtim Sinani dhe nipit të tij 16-vjeçar me inicialet O.S.
Nga kqyrja e automjetit, policia gjeti në bagazh 21 pako me peshë të ndryshme gjithësej rreth 50 kilogramë mariuanë.
Operacioni ka vijuar duke ushtruar kontroll në banesat e të arrestuarve, ku gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Shpëtim Sinani , u gjetën dhe u sekuestruan një arsenal armësh e municionesh si një automatik model 56, n jë pistoletë TT, granatë dore së bashku me ndezesin, dy kallëpe tritol sebashku me kapsollat detonatore dhe fitilin,1650 fishekë model 56 dhe 1500 fishekë pistolete.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Shpetim Sinani dhe O.S për veprat penale "Prodhim dhe shitje të narkotikëve kryer në bashkëpunim , si dhe "Mbajtie pa leje të armeve dhe municjoneve luftarake".
Sipas policisë lënda narkotike ishte marrë në fshatin në Lazarat dhe kishte si destinacion Italinë.