ROME- Kompania ajrore italiane "Blue Panorama", do të vazhdojë të operojë në tregun shqiptar, dhe se, lajmet se ka shpallur falimentin nuk janë të sakta. Ka qene vetë kompania italiane, që nëpërmjet një dokumenti të zbardhur nga "A1 Report", ka sqaruar gjendjen aktuale të saj. Në dokument theksohet se Gjykata e Romës ka pranuar kërkesën e kompanisë për administrim të jashtëzakonshëm, që do të thotë ndërprerje e procedurës së falimentimit.
Në dokumentin nënvizohet se Gjykata e Romës, ka vendosur që kompania "Blue Panorama" do të drejtohet dhe menaxhohet nga themeluesi i kësaj kompanie.
Gjithashtu në dokument nënvizohet se janë në negociata dhe ka interes nga një investitor i rëndësishëm ndërkombëtar. Pas sqarimit të situatës me financat, kompania sqaron se të gjitha fluturimet e saj në drejtim të disa qyteteve italiane, janë të garantuara dhe do të vazhdojnë normalisht.
Kompania "Blue Panorama" operon prej kohësh në Shqipëri, duke zëvendësuar kompaninë "Belle Air", e cila shkaktoi probleme për shumë qytetarë para se të shpallte falimentin.